• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Komisioneri i BE-së për klimën Hoekstra në prag të COP28: "Dritarja e mundësive po mbyllet"

Komisioneri i BE-së për klimën Hoekstra në prag të COP28:

24 Nëntor 2023

 

ENR-Bruksel

 

Komisioneri i ri evropian për aksion klimatik, Vopke Hukstra, po përgatitet për samit të rëndë klimatik në fund të këtij muaji në Dubai. Marrëveshja midis vendeve pjesëmarrëse nuk është as në horizont, e për më tepër, Hoekstra e di se bota po "digjet". Redaksia Evropiane e Lajmeve (ENR) foli me të në prag të Konferencës për ndryshime klimatike COP28.

 

Koha po skadon për sa i përket mundësive për të kufizuar pragun e ngrohjes globale në maksimum dy ose mundësisht 1,5 gradë celsius, siç u ra dakord nga udhëheqësit botërorë në Paris tetë vjet më parë. COP28 zhvillohet në një kohë gjeopolitikisht të ndjeshme, meqë invazioni rus ndaj Ukrainës është ende në rrjedhë, ndërsa Izraeli është në luftë me Hamasin, midis tensioneve të tjera.

 

Komisioneri i ri i BE-së për aksion klimatik, Vopke Hukstra, shpreson që samiti i Kombeve të Bashkuara për klimën COP28 në Dubai do t'i japë një shtytje globale luftës kundër ngrohjes globale. "Shkencëtarët na thonë se duhet shumë, shumë ambicie më e madhe dhe se dritarja e mundësive në fakt po mbyllet", theksoi ai në intervistën për Agjencinë Evropiane të Lajmeve.

 

Në Dubai, BE dëshiron të bindë emetuesit kryesorë të karbonit, siç është Kina, të bëjnë më shumë për të luftuar ndryshimet klimatike. Nga ana tjetër, BE-ja është e gatshme të ndihmojë në kompensimin e dëmeve klimatike në pjesët më të varfra të botës, për shembull.

 

Për të arritur marrëveshje përfundimtare kompromisi në konferencën e klimës COP28 që fillon në Dubai javën e ardhshme, "ne kemi një sfidë të vështirë me të cilën përballemi, sepse ambiciet janë thjesht shumë të larta," tha Hukstra.

 

Ai shtoi gjithashtu se udhëtimet e fundit në Kinë, Lindjen e Mesme, Amerikën Latine dhe Afrikë i kanë treguar atij vështirësitë që duhet të tejkalohen. Ai ka dëgjouar qëndrimet formale dhe joformale të vendeve të ndryshme dhe i ka shqyrtuar veçanërisht për të kërkuar një "zonë uljeje" të mundshme të përbashkët.

 

"Në secilin prej këtyre domeneve – burimet e ripërtërishme, efikasiteti energjetik, metani, tregjet e karbonit, anulimi gradual e karburantëve fosilë – ju e dini, unë jam gjithmonë në kërkim të sinjaleve, parashtroj propozime, dëgjoj mendime, përpiqem të riformuloj pozicione të caktuara" në mënyrë që të ulen dallimet, tha ai.

 

Fondi për humbje dhe dëme nga ndryshimet klimatike: “Fuqia ekonomike vjen me përgjegjësinë”

 

Komisioneri i BE-së për klimën ka bërë të ditur se ai beson se Kina, tani ekonomia e dytë më e madhe në botë, duhet të jetë kontribues dhe jo përfitues i fondit për të riparuar humbjet dhe dëmet nga ndryshimet klimatike. "Kina ka bërë përparim të jashtëzakonshëm. Është ekonomia e dytë më e madhe në botë. Ka afërsisht të njëjtin numër automjetesh elektrike sa edhe Bashkimi Evropian. (...) Me gjithë atë pasuri dhe gjithë atë fuqi ekonomike vjen edhe përgjegjësia", tha ai.

 

Ai shtoi se ky "është rast me Kinën. Por vlente edhe për të tjerët. Kush mund të paguajë, duhet të paguajë". "[Fondi] për humbjet dhe dëmet duhet të ekzistojë me të vërtetë për ata që kanë më shumë nevojë për të", konstatoi Hukstra.

 

Komisioneri tha se fondi duhet të përdoret për të financuar "vetëm një numër të kufizuar vendesh, në vend të të gjithë atyre që përjetojnë katastrofa klimatike". Për shembull, dobi nga fondi duhet të kenë ishujt e vegjël dhe shtetet afrikane që nuk janë përgjegjëse "për asnjë pjesë të ndryshimit të klimës" dhe që janë "më të ekspozuar ndaj thatësirave, përmbytjeve dhe shirave të dendur" . Ai theksoi se fondi si i tillë "nuk është për të kompensuar (për) humbjet dhe dëmet" vetëm për të siguruar se vendi që është prekur nga katastrofa klimatike "mund të vazhdojë" të funksionojë.

 

Prandaj, disa vende pjesëmarrëse në COP28 janë madje "pak skeptike nëse duhet të quhen "humbje dhe dëme", megjithëse ai e quajti një hezitim të tillë dytësor. "Është e rëndësishme vetëm të shpjegohet se cilat kritere duhet të përmbushen dhe për çfarë (...) është dedikuar fondi", tha ai.

 

Fondi për humbje dhe dëme, i dakorduar në COP27, supozohet të japë 100 miliardë dollarë ndihmë çdo vit për vendet e cenueshme. Vendet në zhvillim presin që vendet veçanërisht të pasura industriale të japin para. Disa shpresojnë edhe në shuma vjetore prej qindra miliarda.

 

Ndonëse bëhet fjalë për shumë të konsiderueshme, paratë e premtuara janë vetëm një pjesë e 2 trilionë dollarëve që OKB vlerëson se do të nevojiten çdo vit deri në vitin 2030 në mënyrë që të financohen përpjekjet për t'u përshtatur ndryshimet klimatike dhe për ndihmën për vendet në zhvillim.

 

Lufta kundër ndryshimeve klimatike "mund të ketë sukses vetëm me një konsensus të gjerë"

 

BE-ja është përgjegjëse për vetëm shtatë për qind të emetimeve globale dhe lufta kundër ndryshimeve klimatike "mund të ketë sukses vetëm me konsensus të gjerë" me vendet, korporatat e mëdha dhe me qytetarët", tha Hukstra.

 

Ish-ministri i Jashtëm holandez për një muaj e gjysmë, përveçse në Belgjikë, ka udhëtuar në edhe 13 vende, në mesin e të cilave edhe në Brazil, Kil, Spanjë dhe Arabinë Saudite, ndërsa ka realizuar edhe 55 takime me ministra, përfaqësues specialë, negociatorë dhe udhëheqës të organizatave ndërkombëtare.

 

"Ne duhet të bëjmë shumë më tepër edhe në dekadën e ardhshme në mënyrë që të sigurohemi se do të ndërtojmë ura deri te pjesa tjetër e botës", tha Hukstra. Holandezi ka mandat negociues të konfirmuar nga të gjitha 27 shtetet anëtare të BE-së, që përfshin thirrjet për rritje të trefishtë të kapacitetit të instaluar të energjisë së ripërtërishme deri në vitin 2030, rritjen e dyfishtë të shkallës së efikasitetit energjetik dhe kufizimin e subvencioneve për hidrokarbure.

 

Ai gjithashtu synon të bindë pjesën tjetër të botës, duke përfshirë vendet prodhuese të naftës, se është i domosdoshëm një largim nga karburantet fosile në përgjithësi dhe "thëngjilli në veçanti"", tha ai. “Thëngjilli, në mesin e karburanteve fosile, është ai që shkakton dëmin më të madh”.

 

Duke parë "pozicionet e ndryshme dhe interesat e ndryshme që i kanë vendet", tashmë është e komplikuar "edhe atë në rrethana më normale". Duke parë vitet e kaluara në të cilat “gjërat janë bërë pafundësisht më të vështira për shkak të (...) gjeopolitikës”, do të jetë e vështirë të arrihet qëllimi. Në të njëjtën kohë, nuk ka zgjidhje tjetër përveç arritjes së marrëveshjes", shprehet Hukstra. Vetë planeti tërheq "vija të kuqe", pohon ai. Shkenca dikton ambiciet e larta", thekson Hukstra. “E ne, për fat të keq, nuk jemi ende askund afër atje.”

 

Ky artikull publikohet një herë në javë. Përmbajtja bazohet në lajmet nga agjencitë pjesëmarrëse në ENR.

QËNDRONI TË LIDHUR