• e premte, 27 shtator 2024

Komandanti i KFOR-it, Ulutash: Me rëndësi thelbësore është vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë

Komandanti i KFOR-it, Ulutash: Me rëndësi thelbësore është vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë

Prishtinë, 25 shtator 2024 (MIA) – Komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneral major Ozkan Ulutash deklaroi se vazhdimi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, mbetet me rëndësi thelbësore dhe se kjo është e mundur, por, sipas tij, është i nevojshëm “guxim i vërtetë dhe përkushtim nga të dyja palët”. 

Kështu, siç bëjnë të ditur mediat në Prishtinë, është shprehur ai nga selia e NATO-s në Bruksel, gjatë fjalimit të tij për përmbylljen e mandatit si komandant i KFOR-it. 

Gjenerali turk ka thënë se dialogu nuk është thjeshtë domosdoshmëri politike., por është edhe domosrodhmëri morale.

“Pavarësisht dallimeve të tyre, të gjitha komunitetet në Kosovë ndajnë shpresën e përbashkët për të ardhme paqësore dhe të begatë. Tensionet ende ziejnë dhe mosbesimi midis komuniteteve pengon përparimin. Dialogu politik ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës vazhdon të përballet me pengesa. Në këtë drejtim, NATO-ja dhe KFOR-i mbështesin plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja për zgjidhje të qëndrueshme të çështjeve në pritje. Mbetem optimist se - me durim, këmbëngulje dhe qëndrim konstruktiv nga të gjitha anët – këto pengesa mund të kapërcehen”, shtoi Ulutash.

Ai tutje ka bërë thirrje për komunitetet në Kosovë që t’i vazhdojnë përpjekjet për mirëkuptim dhe bashkëpunim. 

“Kjo përvojë më ka thelluar të kuptuarit se sa kritike janë bashkëpunimi dhe besimi për ruajtjen e paqes në mjedise komplekse. I bëj thirrje të gjitha komuniteteve që të vazhdojnë përpjekjet për mirëkuptim dhe bashkëpunim. Vazhdimi i dialogut politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mbetet thelbësor dhe besoj fort se është e mundur. Megjithatë, kjo kërkon guxim dhe përkushtim të vërtetë nga të dyja palët. Ky dialog nuk është thjesht një domosdoshmëri politike, por edhe morale për hir të brezave të ardhshëm”, ka shtuar ai.

Komandanti i misionit të Aleancës Veriatlantike në Kosovë tutje ka thënë se kanë parandaluar rreziqe për krijim të situatave që mund të çonin në incidente apo përshkallëzim. 

Pas marrjes së detyrës të Ulutashit në krye të KFOR-it, ky mision pati katërfishuar praninë në veri të vendit, ndërsa patën trefishuar numrin e patrullimeve, përfshirë ato përgjatë vijës kufitare me Serbinë.

“Pas ngjarjes së 24 shtatorit, NATO ka dislokuar gati 1000 trupa shtesë në KFOR. Ne kemi katërfishuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullimeve, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative. Këto janë hapa të kujdesshëm për të siguruar që KFOR-i të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij - bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 - për të siguruar mjedis të sigurt, për të gjithë njerëzit në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, deklaruan atëherë nga misioni. fc/

 

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR