• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kolumnë e shefit të diplomacisë çeke Lipavski: 25 Vite - Çekia në NATO

Kolumnë e shefit të diplomacisë çeke Lipavski: 25 Vite - Çekia në NATO

12 mars 2024

“Është qëllimi ynë i përbashkët, me kalimin e kohës, të bëjmë për Lindjen e Evropës atë që NATO ka ndihmuar tashmë për të bërë për Perëndimin e Evropës. Në mënyrë të qëndrueshme dhe sistematike, ne do të vazhdojmë të fshijmë vijën e tërhequr në Evropë nga çizmet e përgjakshme të Stalinit”, tha Sekretarja e atëhershme e Shtetit, Madeleine Albright njëzet e pesë vite më parë, ndërsa mirëpriti anëtarët e parë të rinj të NATO-s që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Fatkeqësisht, sot në Evropë po vihet një vijë e re – nga një diktator me një emër tjetër, i cili megjithatë nuk ka turp të kryejë të njëjtat krime të tmerrshme si ai i mëparshmi.

Një mësim nga e kaluara

Njëzet e pesë vite më parë, më 12 mars, Çekia, Polonia dhe Hungaria u bënë vendet e para nga ish "Blloku Lindor" që u bashkuan me NATO-n. Kjo ngjarje ndryshoi rrjedhën e historisë si për Çekinë ashtu edhe për NATO-n.

Integrimi i suksesshëm i këtyre tre vendeve në politikat dhe strukturat e NATO-s ndihmoi në hapjen e dyerve për vendet e tjera në Evropën Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Qysh në vitin 2002, Praga priti një Samit të NATO-s ku u mor një vendim për një valë tjetër zgjerimi.

Zgjërimi i NATO-s në Evropën Qendrore dhe Lindore ishte me rëndësi dhe urgjencë më të madhe sesa mund ta imagjinonin arkitektët e saj. Si do të dukej Europa sot nëse liderëve të Perëndimit në atë kohë u duheshin 10 vjet për ta menduar mirë? Nëse Çekia, e udhëhequr nga Václav Havel, nuk do të përdorte lirinë e saj të sapo fituar, kapitalin politik dhe vendosmërinë për t'u bashkuar me Perëndimin? Ndoshta NATO nuk do të kishte gjetur kurrë guximin për t'u angazhuar në mbrojtjen e Evropës Qendrore. Ndoshta sot do të kishim frikë se do të mbizotëronte lodhja perëndimore me Evropën Qendrore dhe se, në interes të paqes, Perëndimi do të pranonte ndikimin ose kontrollin rus të Rigës, Varshavës, madje edhe Pragës?

Ne demonstrojmë përkushtimin tonë të palëkundur për sigurinë e përbashkët përmes përpjekjeve tona diplomatike të përditshme, përfshirjes sonë aktive në operacionet aktuale dhe historike të Aleatëve – si ato në Ballkanin Perëndimor dhe Lindjen e Mesme – dhe mbështetjen tonë të palëkundur për mbrojtjen e Ukrainës, ilustruar nga iniciativat si programi i fundit i municionit.

Pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2014 dhe përshkallëzimi i mëvonshëm në 2022 shërbeu si një kujtesë e fortë e rolit vendimtar të NATO-s në mbrojtjen kolektive. Tani po përgatitemi për një kapitull të ri në historinë e Aleancës së NATO-s. Ukraina, e cila i ka dalë me guxim ushtrisë ruse, e gjen veten në një situatë të vështirë. Pavarësisht se nuk është integruar në NATO apo BE, Ukraina ka sakrifikuar shumë më tepër për vlerat perëndimore se çdo vend tjetër që nga Lufta e Dytë Botërore. Ne nuk duhet të heqim dorë nga partneri ynë. Ne duhet t'i ofrojmë garanci të besueshme sigurie.

Në botën e sotme, ndërsa regjimet autoritare përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe mënyrën tonë të jetesës, jemi dëshmitarë të pasojave të mungesës së rregullave. Me dyshimet për kohezionin dhe të ardhmen e Aleancës që dalin nga vende të ndryshme në Evropë dhe SHBA, është e qartë se një NATO më e fortë është thelbësore tani më shumë se kurrë. Ndërsa bota ka qenë gjithmonë një vend i ndërlikuar, vjen një moment kur veprimi është i nevojshëm. Pritja e një problemi mund të duket më e lehtë, por shpesh çon në një rrugë pa krye. Që nga viti 1999, Çekia ka qëndruar krah për krah me aleatët e saj dhe së bashku, ne ecim përpara, duke hapur rrugën përpara.

Kolumnë e Jan Lipavski, ministër i Punëve të Jashtme të Republikës Çeke

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR