• e shtunë, 23 nëntor 2024

Koalicioni Vlen: Përfitimet e Marrëveshjes së Ohrit janë më të fuqishme se përpjekjet për privatizimin e saj

Koalicioni Vlen: Përfitimet e Marrëveshjes së Ohrit janë më të fuqishme se përpjekjet për privatizimin e saj

14 gusht 2024

Dita e shënimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit më në fund mori formën e saj të duhur dhe institucionale. Ky moment historik, i cili përfaqëson arritjen më të madhe të popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, më në fund është liruar nga kthetrat e individëve që për vite të tëra e përdorën për të plotësuar dëshirat e tyre personale dhe për të përvetësuar pasurinë e popullit.

BDI, nga arroganca e tyre politike dhe nga qëndrimi i gjatë në pushtet, ende mendon se mund të përvetësojë çdo arritje të popullit shqiptar. Me arrogancë ata guxuan të mbajnë një event paralel për këtë datë të rëndësishme, përkundër thirrjeve të shumta për të mos ndarë popullin për këtë ngjarje që duhet të na bashkojë të gjithëve.

Gjithmonë kur ata flasin për "Marrëveshjen e Ohrit" dhe përpiqen të imponojnë tema për legjitimitetin, duhet ta kuptojmë që kjo është një përpjekje për të devijuar vëmendjen nga skandalet e tyre korruptive dhe nga përgjegjësia për regjimin e tyre 22-vjeçar. Ata kërkojnë të mbulojnë të kaluarën e tyre të mbushur me korrupsion, krim dhe keqmenaxhim.

Me ardhjen e Koalicionit VLEN në pushtet nuk ka më "Arbëria Dizajn" për organizim të Marrëveshjes së Ohrit për qindra mijëra euro.

Me ardhjen e Koalicionit VLEN në pushtet nuk ka më dëshira personale, ahengje dhe joseriozitet me të vetmin qëllim, pasurimin.

Me ardhjen e Koalicionit VLEN në pushtet, ka përfunduar koha e papërgjegjësisë dhe injorancës.

Me ardhjen e Koalicionit VLEN në pushtet, ka përfunduar aroganca pushtetare mbi popullin. Koha e përbuzjes dhe e përvetësimit të arritjeve të popullit shqiptar nga ata që e shfrytëzuan për interesat e tyre ka përfunduar përgjithmonë.

Koalicioni VLEN është i vendosur që të çojë përpara vlerat dhe arritjet e popullit shqiptar me nder dhe përgjegjësi, duke mbrojtur interesat e qytetarëve dhe duke luftuar kundër çdo forme të korrupsionit dhe abuzimit të pushtetit.

Bashkë do ta ndërtojmë të ardhmen që e meriton populli shqiptar.

Koalicioni Vlen 

___________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

QËNDRONI TË LIDHUR