• e enjte, 26 dhjetor 2024

Koalicioni VLEN: Kandidatët tanë për zëvendësministra në Qeveri janë të përgatitur për të sjellë ndryshime të prekshme dhe pozitive

Koalicioni VLEN:  Kandidatët tanë për zëvendësministra në Qeveri janë të përgatitur për të sjellë ndryshime të prekshme dhe pozitive

Shkup, 23 korrik 2024 (MIA) - Koalicioni VLEN njoftoi se kandidatët e tij për zëvendësministra në siç thonë "Qeverinë e shpresës dhe antikorrupsionit" i kaluan të gjitha filtrat dhe janë të gatshëm të sjellin ndryshime pozitive dhe të prekshmme.

"Me krenari dhe përkushtim të thellë, Koalicioni VLEN njofton se kandidatët tanë për pozicionet e zëvendës-ministrit në Qeverinë e shpresës dhe anti-korrupsionit kanë kaluar të gjitha filtrat dhe tani ndodhen para deputetëve për miratim. Këta kandidatë të shquar përfaqësojnë vlerat më të larta të dinjitetit, profesionalizmit dhe shpresës për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Me një biografi të provuar të integritetit dhe përkushtimit ndaj shërbimit publik, dhe pa asnjë njollë korruptive, kandidatët tanë janë të përgatitur për të sjellë ndryshime të prekshme dhe pozitive", bëjnë të ditur nga VLEN në prag të mbledhjes së sotme të Kuvendit në të cilën do të votohet për zëvendësministra.

Në një kohë kur krimi, korrupsioni, bixhozi dhe sjelljet devijante kërcënojnë shoqërinë tonë, ne besojmë, shtohet më tutje, se këta individë të zgjedhur janë çelësi për një transformim të vërtetë.

"Qeveria e shpresës dhe anti-korrupsionit është e vendosur të ndërtojë një të ardhme më të ndritshme për të gjithë qytetarët, duke promovuar drejtësinë dhe barazinë. Ne jemi të angazhuar për të shporrur njëherë e përgjithmonë krimin dhe korrupsionin, dhe për të rivendosur besimin në institucionet tona.VLEN-i është shpresa e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut!", qëndron në kumtesën e Koalicionit. 

Kuvendi sot do ta mbajë mbledhjen e 11-të në të cilën duhet të votohen zëvendësministrat në Qeveri, me çka plotësisht do të kompletohej ekipi qeveritar. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s
 
 

QËNDRONI TË LIDHUR