• e martë, 24 dhjetor 2024

Kina dorëzoi informacione për hetimin e kabllove të dëmtuara në Detin Baltik

Kina dorëzoi informacione për hetimin e kabllove të dëmtuara në Detin Baltik

Pekin, 23 dhjetor 2024 (MIA) - Kina dorëzoi informacione dhe dokumente për hetimin e përbashkët të dy kabllove nëndetëse të dëmtuara në Detin Baltik dhe ka ftuar Gjermaninë, Suedinë, Finlandën dhe Danimarkën të marrin pjesë në hetim, kumtoi Ministria e Punëve të Jashtme të Kinës.  

Zëdhënësja e ministrisë, Mao Ning, deklaroi në konferencë për shtyp se Kina i informoi të gjitha palët e interesuara dhe është e gatshme të bashkëpunojë.

Hetimi u inicua pasi në nëntor u ndërprenë dy kabllot optike - një midis Finlandës dhe Gjermanisë dhe një tjetër midis Suedisë dhe Lituanisë. Dëmi ngriti dyshime për sabotim dhe shqetësime për sigurinë e infrastrukturës kritike.

Roja Bregdetare suedeze kumtoi se anija e mallrave kineze "Ji Peng 3" është sërish në lëvizje pas më shumë se një muaji pushim në ujërat daneze. Javën e kaluar, Kina lejoi përfaqësues nga Gjermania, Suedia, Finlanda dhe Danimarka të inspektojnë anijen.

“Për të bashkëpunuar me hetimin, anija u ndalua për një periudhë më të gjatë. Për shkak të shëndetit të ekuipazhit, pronari ka vendosur të vazhdojë udhëtimin pas konsultimit me palët e interesuara”, deklaroi Mao.

Besohet se anija kineze "Ji Peng 3" ka qenë në atë zonë në kohën kur u prenë kabllot. Pekini mohoi përfshirjen në sabotim dhe shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me Suedinë dhe vende të tjera.

Anija u largua nga porti rus i Ust-Luga më 15 nëntor dhe dy ditë më vonë është prerë një kabllo midis Lituanisë dhe ishullit suedez të Gotland. Më 18 nëntor u pre edhe një kabllo nga Helsinki në Rostok. Të dhënat nga vendet e gjurmimit të anijeve tregojnë se Ji Peng 3 po lundronte mbi kabllot në kohën kur ato u prenë.

"Uoll strit xhurnall" publikoi se hetuesit dyshojnë se anija ka dëmtuar qëllimisht kabllot duke i hedhur dhe ka tërhequr spirancën përgjatë shtratit të detit për më shumë se 160 kilometra.

Ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius javën e kaluar tha se askush nuk besonte se kabllot ishin prerë aksidentalisht. ls/

Foto: EPA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR