• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kilian Ual: Maqedonia e Veriut u bë lider në rajon me vendimin që t'i jepet fund pashtetësisë

Kilian Ual: Maqedonia e Veriut u bë lider në rajon me vendimin që t'i jepet fund pashtetësisë

Shkup, 19 korrik 2023 (MIA) - Maqedonia e Veriut u bë lider në rajon, si dhe në nivel global me atë që ka bërë prioritet kombëtar t'i jepet fund pashtetësisë deri në fund të vitit 2023, deklaroi ambasadori Kilian Ual, shef i Misionit të OSBE-së në Shkup.

Në punëtorinë e sotme rajonale, të dedikuar për përkrahje të vendit në angazhimin e tij për t'i dhënë fund pashtetësisë, që u mbajt në Shkup, ambasadori tha se ky qëllim i shtetit është ambicioz, por edhe i realizueshëm, duke shtuar se Misioni, së bashku me UNHCR-në, me kënaqësi e përkrah këtë proces.

Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga në ngjarjen tha se është krenar për këtë arritje.

"Me këtë arritje, jam krenar që u bëmë vendi i parë në Evropë, si dhe vendi i dytë në botë, që zgjidhëm me sukses problemin e personave të paregjistruar. Republika e Maqedonisë së Veriut po bëhet një shtet më i drejtë se dje dhe me zbatimin e plotë të ligjit, do të bëhet shtet më i barabartë seç është sot", tha Lloga.

Ministri Lloga potencoi se me këtë ligj ne përmbushim edhe detyrimet e marra ndërkombëtarisht për regjistrimin civil dhe lëshimin e dokumenteve të rregulluara nga Konventa për të Drejtat e Fëmijëve, Deklarata e Zagrebit për Qasjen në Dokumentacionin Civil dhe Regjistrimin në Evropën Juglindore në 2011 dhe Konventa për Reduktimin e Pashtetësisë, e miratuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, e ratifikuar në vitin 2019.

"Pres që deri në fund të vitit 2023 këta njerëz të kenë një identitet dhe më e rëndësishmja, më në fund do të mund të reaizojnë të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutë, pa ua kufizuar qasjen në arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale", tha ai.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale përkujtoi se sfida e kësaj kategorie të personave u notua në vitin 2011.

"Nëse nga viti 2011 fillonte të zgjidhet ky problem, deri tani do të ishte i zgjidhur dhe nuk do të flisnim për persona të paevidentuar në shtetin tonë"., tha Trençevska.

Ministrja sqaroi se si Qeveri nga viti 2018 sërish e aktualizojnë çështjen për persona pa dokumente, se sipas orientimeve të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, një ekip nga të gjithë faktorët relevantë i kanë vizituar lagjet për të cilat kanë marrë informatë se ekzistojnë persona të paevidnetuar në librin amë të të lindurve dhe për të njëjtit janë plotësuar pyetësorë, me qëllim që të përpunohet një regjistër i posaçëm elektronik, ku janë vendosur rreth 700 persona të paevidentuar.

Kristina Bunea, u.d. përfaqësuese dhe oficere përgjegjëse në Përfaqësinë e UNHCR-së në Maqedoninë e Veriut, po ashtu e ka përshëndetur përparimin e shtetit tonë.

"UNHCR e përshëndet përparimin e arritur nga Maqedonia e Veriut për ballafaqim me pashtetësinë dhe shpreson se me implementimin e harmonizuar të ndryshimeve më të reja të Ligjit për evidencën amë, të miratuara nga Kuvendi në qershor dhe punën e mundimshme të të punësuarve në Drejtorinë për udhëheqjen e librave amë, të gjithë ata të cilët nuk kanë certifikatë nga libri amë të të lindurve dhe ata të cilët në këtë moment janë përkohësisht të regjistruar, do t'i kënaqin të drejtat e tyre si qytetarë krenarë të vendit", tha ajo.

Kuvendi para më shumë se një muaj i ka miratuar ndryshimet e Ligjit për evidencën amë, me të cilat do të mundësohet zgjidhja e rasteve për 700 qytetarë, të cilët kanë udhëhequr beteja me dekada me sistemin që të marrin identitet juridik. Ndryshimet janë miratuar me procedurë të përshpejtuar me 63 vota "për". Këto ndryshime mundësojnë zgjidhjen e të gjitha rasteve të njohura të pashtetëtësisë, si dhe çdo fëmijë të lindur në vend do të marrë certifikatë të lindjes, pa dallim nëse prindërit e tij janë pa dokumente ose pa shtetësi. bsh/

Foto: OSBE

QËNDRONI TË LIDHUR