• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

KID organizoi promovimin e librit të Rizvan Sulejmanit- Shqiptaria, miti, filozofia

KID organizoi promovimin e librit të Rizvan Sulejmanit- Shqiptaria, miti, filozofia
Shkup, 19 tetor 2022 (MIA)- Sot në lokalet e Gjimnazit të Sarajit “Klubi i Intelektualëve të Dervenit” (KID) organizoi promovimin e librit të prof. Rizvan Sulejmanit, Shqiptaria, miti, filozofia (Interlingua, Shkup, 2020, 262 fq.). Në këtë ngjarje të radhës të këtij asociacioni qytetar të pavarur folën dy recensentët prof. Enver Abdullahu  nga UNT dhe prof. Ali Pajaziti nga UEJL. Ata theksuan se vepra origjinale në fjalë temën e formimit të idesë kombëtare ndër shqiptarë e shtjellon duke kapërcyer matricat dhe modelet intrepretuese klasike, skematike, klishe që bazohen në teorinë sociologjikekonfliktuale në interpretimin e figurës së Skënderbeut, të kombit si krijim socio-kulturor dhe historik, të relacionit kombi-feja, etj. Promotorët këtë vepër e cilësuan si një filozofi politike të  mirëfilltë që fokuson ecurinë e shqiptarit nga epokat nebuloze ilire e arbnore në epokën mesjetare, të Rilindjes, e deri në shekullin XXI apo të multipolaritetit post-2014, të post-europianizmit, poast-amerikanizmit etj. Një pikë sui generis e këtij punimi është theksi mbi tolerancën shqiptare të bazuar te sistemi i bashkësive fetare (mil-let), afirmimi i Skënderbeut si përbashkues i triadës fetare (islam, orthodoksi, katolicizëm), si nyje lidhëse e feve abrahamike të bazuara në monoteizëm e jo si luftëtar i Perëndimit kundër Lindjes apo “atlet i Krishtit”. Sipas autorit identiteti është një gjë shumë komplekse, një pjesë e të cilit s’fshihet me shpuzë, kurse karta e së ardhmes për ne është “nacionalizmi globalist shqiptar”, pa frikë nga uni, duke ruajtur autenticitetin dhe inkluzivitetin ndaj diversitetit.

QËNDRONI TË LIDHUR