• e shtunë, 23 nëntor 2024

KE: Në Maqedoninë e Veriut ka më shumë gjykatës dhe më pak prokurorë se mesatarja evropiane

KE: Në Maqedoninë e Veriut ka më shumë gjykatës dhe më pak prokurorë se mesatarja evropiane
Shkup, 24 tetor 2022 (MIA) - Komisioni Evropian në Raportin e fundit për progresin e vendit vlerëson se Republika e Maqedonisë së Veriut ka arritur progres në funksionimin e gjyqësorit, përmes zbatimit stabil të strategjisë për reformën në drejtësi, i cili në mënyrë plotësuese adreson rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe Grupit të Ekspertëve të Lartë për Çështjet Sistemike për Sundimin e Ligjit dhe vlerëson se sistemi gjyqësor i Maqedonisë së Veriut është mesatarisht i përgatitur, përkatësisht vendi ka arritur një shkallë të caktuar të përgatitjes. Gjyqësori, sipas KE-së, ka treguar përkushtimin e tij për të mbrojtur integritetin dhe pavarësinë e tij. “Përgatitja e strategjisë së re të reformës në drejtësi filloi në mënyrë gjithëpërfshirëse, bazuar në mësimet e nxjerra nga ajo e mëparshme. Zbatimi i planit të përditësuar të veprimit për strategjinë e reformës në drejtësi ka vazhduar, por duhet të bëhet më sistematik”, vlerëson raporti i KE-së. KE thekson gjithashtu se ritmi i zbatimit të strategjive të burimeve njerëzore për gjyqësorin dhe prokurorinë duhet të rritet. “Institucionet gjyqësore zbatojnë në mënyrë të vazhdueshme rregullat e reja për emërimin, ngritjen në detyrë, disiplinimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Promovimet në gjykatat më të larta janë përballur me vonesa dhe daljet në pension kanë reduktuar më tej numrin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, theksohet në raportin e KE. Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli i Prokurorëve Publik vazhduan me zbatimin e planeve strategjike. “Çdo projektligj i ri për Akademinë për gjyqtarë dhe prokurorë publikë duhet ta mbajë Akademinë si pikën e vetme hyrëse në gjyqësor dhe prokurori dhe duhet të sigurojë që qasja në këto profesione të jetë e drejtë dhe transparente”, thekson KE-ja në raportin e fundit. KE gjithashtu thekson se është punuar në përmirësimin e sistemit softuerik me qëllim të zbatimit të dispozitave të Ligjit për menaxhimin e rrjedhës së lëndëve për shpërndarjen automatike dhe të rastësishme të lëndëve nëpër gjykata, përmes sistemit të automatizuar informativ për menaxhimin e lëndëve gjyqësore (ACCMIS). Në vitin e ardhshëm, KE vlerëson se vendi duhet: → të përfundojë zbatimin e strategjisë së reformës në drejtësi dhe planit të veprimit të përditësuar, me fokus të veçantë në miratimin e një ligji të ri për procedurën civile në përputhje me standardet evropiane dhe pa vonesë të fillojë përgatitjen e strategjisë së re të reformës në drejtësi (për vitin 2023-2027); → të përshpejtojë zbatimin e strategjive të burimeve njerëzore për gjyqësorin dhe rrjetin e prokurorisë publike dhe t'i përdorë ato si tregues për parashikimin e punësimeve të ardhshme; → të përdoren të gjitha burimet e nevojshme për të siguruar që Sistemi i Informacionit të Automatizuar të Menaxhimit të Çështjeve Gjyqësore (ACCMIS) është plotësisht funksional dhe i pajtueshëm me masën e re të kompleksitetit të çështjeve gjyqësore dhe metodën për vlerësimin e gjyqtarëve dhe kryetarëve të gjykatave. Më konkretisht, Komisioni Evropian në rubrikën e dokumenteve strategjike, bën me dije se në përgatitjen e strategjisë për periudhën 2023-2027 duhet të përfshihen komentet nga raporti për zbatimin e Strategjisë për Reformat në Drejtësi (2017-2022). KE, në raport, vlerëson se në Kuvend priten disa zgjidhje ligjore, përfshirë projektligjin e ri për procedurën kontestimore, si dhe se është arritur progres i kufizuar në zbatimin e strategjive të menaxhimit të burimeve njerëzore në gjykata dhe në prokuroritë publike. Në fushën e organeve administrative, KE-ja thekson se Këshilli Gjyqësor duhet të forcojë rolin e tij si mbrojtës i pavarësisë dhe paanshmërisë së gjyqtarëve dhe të përmirësojë transparencën e tij, ndërsa Këshilli i Prokurorëve Publikë duhet të arsyetojë vendimet e tij dhe të sigurojë rregullisht qasje në media në seancat e tij, gjë që nuk ishte gjithmonë e mundur për shkak të hapësirës së kufizuar dhe kufizimeve të vendosura për shkak të pandemisë së Kovid-it. Në pjesën e pavarësisë dhe paanësisë, KE-ja vlerëson se pavarësia e gjyqësorit është e përfshirë në Kushtetutë, por gjithashtu thekson se është e rëndësishme të sigurohet që gjyqësori të mbrohet nga çdo rrezik apo perceptim i ndërhyrjes së jashtme të papërshtatshme. Në pjesën e përgjegjësisë, KE vlerëson se që nga qershori i vitit 2020, Këshilli Gjyqësor ka shkarkuar gjashtë gjyqtarë dhe Këshilli i Prokurorëve Publikë ka konfirmuar vendimin e kryeprokurorit për shkarkimin e një prokurori. Në përgjithësi, arsyeja e dhënë për largime të tilla lidhej me punën joprofesionale. Këshilli Gjyqësor i ka shqiptuar vërejtje me shkrim një gjyqtari dhe ka gjobitur kryetarin dhe gjyqtarin. Për sa i përket profesionalizmit dhe kompetencës, KE vlerëson në raport se Këshilli Gjyqësor ka filluar të aplikojë metodologjinë e re për vlerësimin profesional për emërimet dhe avancimet me vendime për 97 kandidatë për gjyqtarë dhe katër për kryetarë gjykatash. KE-ja, në pjesën për cilësinë e drejtësisë, thekson se është e rëndësishme që çdo ligj i ri për Akademinë për gjyqtarët dhe prokurorët të ketë Akademia si pika e vetme hyrëse në gjyqësor dhe prokurori, por gjithashtu është veçanërisht e rëndësishme për të shkurtuar trajnimin fillestar. Gjykata e Lartë dhe katër Gjykatat e Apelit vazhduan përpjekjet e tyre për të përmirësuar konsistencën e vendimeve dhe për të harmonizuar praktikat gjyqësore. Raporti i KE-së tregon se kemi më shumë gjyqtarë dhe më pak prokurorë se mesatarja evropiane. Në fund të vitit 2021, kishte 473 gjyqtarë, (26 për 100,000 banorë) 61 për qind gjyqtare femra dhe 170 prokurorë (nëntë për 100,000 banorë), 55 për qind prokurore femra, më pak se në vitin 2020. Sipas Komisionit Evropian për Efikasitetin e Drejtësisë (CEPEJ), mesatarja evropiane është 21 gjyqtarë dhe 12 prokurorë për 100,000 banorë. KE-ja thekson se është thelbësore të përshpejtohet zbatimi i strategjive të burimeve njerëzore për gjykatat dhe prokuroritë publike dhe të planifikohen paraprakisht nevojat për personel. Këshilli për Digjitalizim në Gjyqësor, thuhet në Raportin e KE-së, ka intensifikuar punën për zbatimin e strategjisë së TI-së, duke theksuar se pesë gjykata pilot kanë marrë pajisje të TI-së të ofruara nga donatorë të huaj, por se rekrutimi i stafit shtesë të TI-së varet nga ofrimi i punës, kushte që janë konkurruese me ato në sektorin privat. KE-ja, ndër të tjera, thekson se është e nevojshme të punohet për promovimin e vazhdueshëm të ndërmjetësimit dhe përdorimin e metodave të tjera alternative të zgjidhjes së mosmarrëveshjeve, duke përfshirë këshillat përkatëse, Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë dhe Shoqatën e Gjyqtarëve. Në pjesën e efikasitetit, KE-ja në raport vlerëson se shumica e gjykatave kanë vazhduar trendin pozitiv të ruajtjes së shkallës së lëndëve të përfunduara prej 100 e më shumë për qind, me përjashtim të rasteve administrative me 86.56 për qind në shkallë të parë dhe 111.01 për qind në apel për të njëjtat lëndë. KE-ja gjithashtu thekson se nuk janë bërë përpjekje për të adresuar rekomandimet e Komisionit të Venecias për rishikimin e dispozitave të ligjit për përdorimin e gjuhëve që kanë të bëjnë me dygjuhësinë në procedurat gjyqësore.

QËNDRONI TË LIDHUR