• e shtunë, 23 nëntor 2024

KB: Paragjykimet seksiste janë të “rrënjosura”, nuk ka përparim në 10 vitet e fundit

KB: Paragjykimet seksiste janë të “rrënjosura”, nuk ka përparim në 10 vitet e fundit

Nju Jork, 12 qershor 2023 (MIA) - Nuk ka pasur përparim në dhjetë vitet e fundit në reduktimin e paragjykimeve seksiste që janë “rrënjosur” në shoqëri përkundër fushatave për promovimin e të drejtave të grave si “MeToo”, kumtuan zyrtarë të KB-së.

Si për burrat ashtu edhe për gratë, "normat shoqërore të bazuara në stereotipet gjinore janë të përhapura në botë: pothuajse 90 përqind e popullsisë ka të paktën një paragjykim seksist" nga shtatë të anketuarit nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP).

Këto "stereotipe janë të përhapura midis burrave dhe grave, duke çuar në përfundimin se ato janë të rrënjosura thellë dhe prekin burrat dhe gratë në mënyrë të barabartë", thuhet në raport.

UNDP, duke përdorur të dhënat nga Hulumtimi i vlerave botërore (World Values Survey) - një projekt ndërkombëtar për ndryshimin e vlerave dhe besimeve në mbarë botën, që mbulon 80 vende me 85 përqind të popullsisë së botës - ka përditësuar Indeksin e Normave Sociale Gjinore, që përfshin dimensionet politike dhe ekonomike dhe lidhet me arsimin dhe integritetin fizik.

Ky indeks nuk tregon "asnjë përmirësim në paragjykimet ndaj grave në dhjetë vitet e fundit", "megjithë fushatat e mëdha globale dhe kombëtare për të drejtat e grave", siç është "MeToo", thekson UNDP.

Për shembull, pothuajse gjysma e popullsisë së botës (49 përqind) ende mendon se burrat janë udhëheqës politikë më të mirë se gratë, ndërsa vetëm 27 përqind mendojnë se është e rëndësishme për demokracinë që gratë të kenë të njëjtat të drejta si burrat.

Pothuajse gjysma e popullsisë (46 përqind) besojnë se burrat kanë më shumë të drejtë për të punuar dhe pothuajse po aq (43 përqind) besojnë se burrat janë drejtorë më të mirë të kompanisë. Një e katërta e popullsisë mendon se është në rregull që një burrë të rrahë gruan e tij, ndërsa 28 për qind mendon se diploma universitare është më e rëndësishme për burrat.

Të tilla stereotipe janë “pengesë” për gratë dhe çojnë në “shkeljen” e të drejtave të tyre. "Nëse nuk shtypim norma të tilla shoqërore, ne nuk do të arrijmë barazinë midis burrave dhe grave dhe qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm" paralajmërohet në raportin. Ky stagnim i stereotipeve në fakt ndodh në një kohë të rënies së zhvillimit njerëzor në përgjithësi dhe është i lidhur me pandeminë Kovid-19. ls/

Foto: piksabej

 

QËNDRONI TË LIDHUR