• e shtunë, 23 nëntor 2024

KB kërkon ndërprerje të përleshjeve të intensifikuara midis Hezbollahut dhe Izraelit

KB kërkon ndërprerje të përleshjeve të intensifikuara midis Hezbollahut dhe Izraelit

Nju Jork, 28 gusht 2024 (MIA) – Këshilli i sigurisë së Kombeve të Bashkuara sot bëri thirrje për ndërprerjen e sulmeve ndërmjet Hezbollahut të Libanit dhe armatës izraelite dhe paralajmëroi se përshkallëzimi i mëtejshëm “bart rrezik të lartë për të sjellë një konflikt më të gjerë".

Në një rezolutë të miratuar unanimisht nga 15 anëtarë, Këshilli i sigurisë kërkon që Izraeli dhe Hezbollahu të ndërpresin armiqësitë dhe u bën thirrje "aktorëve relevant" që të rivendosin "paqen dhe stabilitetin".

Gjatë fundjavës ka pasur një shkëmbim zjarri intensiv mes dy anëve të kufirit. Edhe pse armiq prej gjatë kohë, konflikti midis Hezbollahut dhe Izraelit u përshkallëzua me fillimin e luftës së Gazës.

"Ju dhe qeveria juaj duhet të bëni një zgjidhje, të përballeni me Hezbollahun ose të shikoni se si vendi juaj tërhiqet në një kaos dhe shkatërrim", u tha libanezëve ambasadori izraelit në KB, Deni Danon para votimit në Këshillin e sigurisë.

Me rezolutën e propozuar nga Franca mandati i forcës paqeruajtëse të KB-së në Liban, UNIFIL e pranishme në vend që nga viti 1978 është zgjatur edhe për një vit.

UNIFIL u formua për të mbikëqyrë tërheqjen e armatës izraelite nga Libani jugor pas pushtimit në vitin 1978.

Këshilli i sigurisë e zgjeroi misionin pas luftës midis Izraelit dhe Hezbollahut në vitin 2006 në mënyrë që paqeruajtësit të mund të vendosen përgjatë kufirit libanezo-izraelit dhe të ndihmojnë ushtrinë libaneze të rivendosë sovranitetin në jug të vendit për herë të parë ndër dekada.

Mbështetësit e Hezbollahut në Liban shpesh akuzojnë misionin e KB-së për bashkëpunim me Izraelin, ndërsa Izraeli akuzon paqeruajtësit se mbyllin sytë para aktiviteteve ushtarake të Hezbollahut në Libanin jugor.


 

 

QËNDRONI TË LIDHUR