KB: Deri tani në Lindjen e Mesme janë vrarë më shumë se 5.200 njerëz
- Më shumë se 5.200 njerëz janë vrarë në Lindjen e Mesme prej se SHBA-ja dhe Izraeli filluan sulme ndaj Iranit në fund të shkurtit, duke përfshirë më shumë se 2.200 civilë, kumtuan Kombet e Bashkuara.
- Post By Besnik Shuki
- 18:57, 6 prill, 2026
Nju-Jork, 6 prill 2026 (MIA) - Më shumë se 5.200 njerëz janë vrarë në Lindjen e Mesme prej se SHBA-ja dhe Izraeli filluan sulme ndaj Iranit në fund të shkurtit, duke përfshirë më shumë se 2.200 civilë, kumtuan Kombet e Bashkuara.
Agjencia e lajmeve, "Aktivistë për të drejtat e njeriut", organizatë joqeveritare, vlerëson se vetëm në Iran janë vrarë më shumë se 3.500 njerëz, duke përfshirë më shumë se 1.600 civilë dhe të paktën 244 fëmijë. Federata ndërkombëtare e shoqatave të Kryqit të kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe njofton se më shumë se 21.000 njerëz janë lënduar në atë vend.
Në Liban, sulmet izraelite vranë 1.461 persona nga fillimi i luftës, përfshirë të paktën 129 fëmijë, njoftoi Ministria libaneze e Shëndetësisë. Më shumë se 4.400 persona janë plagosur, përfshirë 443 fëmijë.
Sipas UNHCR-së, luftimet në Iran kanë detyruar deri në 3,2 milionë njerëz të largohen, përfshirë refugjatë afganë. Më shumë se 1,2 milionë njerëz janë zhvendosur në Liban.
Të paktën 170 persona janë vrarë gjithashtu në pjesë tjera të rajonit, duke përfshirë Izraelin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajtin, Sirinë, Omanin, Arabinë Saudite, Katarin, Bahreinin dhe Bregun Perëndimor. Nga këta, të paktën 105 raste të vdekjes janë regjistruar në Irak, sipas autoriteteve shëndetësore irakiane.
Midis anëtarëve të NATO-s, janë vrarë 13 ushtarë amerikanë, një oficer francez, një ushtar turk dhe dy kontraktorë turq të mbrojtjes.
Kombet e Bashkuara gjithashtu njoftuan se të paktën dhjetë persona janë vrarë në det, ndërsa sulmet në Ngushticën e Hormuzit vazhdojnë.
Javën e kaluar, tre paqeruajtës indonezianë të KB-së janë vrarë në Libanin jugor dhe organizata po heton rrethanat e vdekjes së tyre. Katër vullnetarë të Gjysmëhënës së Kuqe kanë humbur jetën gjithashtu në Iran nga fillimi i luftës. bsh/
Foto: EPA