• e enjte, 26 dhjetor 2024

Katër vjet anëtarësim në NATO: Maqedonia e Veriut faktor i stabilitetit të Ballkanit Perëndimor

Katër vjet anëtarësim në NATO: Maqedonia e Veriut faktor i stabilitetit të Ballkanit Perëndimor

Shkup, 26 mars 2024 (MIA) - Me rastin e katër vjetorit të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO, Qeveria mbajti mbledhje solemne me të cilën kryesoi kryeministri Talat Xhaferi. 

Ai foli për rrugën e anëtarësimit dhe theksoi se nga viti 1993, kur në Kuvend u miratua Rezoluta, kaluam shumë trazira, kontribuojmë në mënyrë aktive në misione paqësore bashkë me armatën e vendeve të tjera në Aleancë, që sot të jemi anëtare e respektuar dhe e vlerësuar "e cila ka vendin e saj në tryezën e vendosjes dhe është faktor i stabilitetit të Ballkanit Perëndimor".

Hyrja në NATO ishte siguruar me reforma dhe me Marrëveshjen e Prespës, gjegjësisht, siç tha Xhaferi, "me vendime të mençura dhe të guximshme shtetërore të Qeverisë së atëhershme". Theksoi se anëtarësimi në Aleancë i ka bashkuar në mënyrë mbipartiake dhe mbietnike edhe qytetarët, krahas subjekteve politike. 

Theksoi se me anëtarësimin në Aleancë ne jemi pjesë e demokracive më të zhvilluara në botë dhe jemi pjesëmarrës në ruajtjen e paqes për një miliard njerëz, ndërsa armata jonë është transformuar në nivel të aleatëve "dhe mbahet krah për krah me lëvdata të larta".

"Besoj se të gjithë qytetarët janë krenarë me pamjen e flamurit të Maqedonisë së Veriut që valëvitet para selisë së NATO-s në Bruksel. Ajo është një pamje e historisë dhe e së ardhmes në një vend. Jam krenar që arritëm të shkruajmë një histori të tillë. Sot Maqedonia e Veriut është një anëtare e çmuar e Aleancës, jo vetëm që jetojmë në stabilitet dhe siguri, por jemi faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor", theksoi Xhaferi.

Duke i parë krizat aktuale në botë dhe të gjitha vatrat e ndezura, theksoi ai, "është vërtetuar korrektësia e të gjitha vendimeve të vështira që na çuan në anëtarësimin e sotëm në NATO".

"I shohim dhe dëgjojmë tmerret në botë, por pa frikë për ne sepse e dimë se NATO është garancia më e fuqishme e sigurisë. Kjo është dëshmi se çdo sakrificë e bërë ia vleu", theksoi Xhaferi, duke shtuar se aleanca NATO është edhe më e bashkuar dhe me vizion të qartë për aleancë me përfshirjen e Finlandës dhe Suedisë gjatë dy viteve të kaluara. 

Theksoi edhe se anëtarësimi nuk na sjellë vetëm privilegje por edhe detyrime për fuqizim, siç tha - të jemi më rezistues dhe më të fuqishëm, dhe të përballemi me sfidat drejt mbrojtjes të cilat i sjellin trendet. 

"Gatishmëri për politikë të mbrojtjes dhe parandaluese, e cila nuk nënkupton vetëm pajisje të re dhe buxhet, por trajnim aktiv të pjesëtarëve të armatës. Aftësitë e Armatës gjatë gjithë kohës janë trajtuar me prioritet, me çka përmbushet qëllimi i ekzistimit të saj", shtoi Xhaferi.

Përvjetorin e anëtarësimit në NATO në mbledhjen solemne e uroi edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani i cili theksoi se këto katër vite nënkuptojnë siguri sepse anëtarësimi ka kontribuuar për ruajtjen e stabilitetit të shtetit dhe se kjo ka ardhur në moment të vërtetë "para fillimit të agresionit të Rusisë mbi Ukrainën". 

 

"Mund ta imagjinojmë se si do të ishte situata në rajon nëse ne nuk do të ishim anëtare e NATO-s, në ato kushte të ambicjeve imperiale ruse. Ukraina është vetëm një stacion i atyre ambicieve të Rusisë dhe një nga ato stacione do të ishte Ballkani Perëndimor, tha Osmani, duke nënvizuar kontributin e vendit në sigurimin e stabilitetit dhe ndihmës për Ukrainën. Ai vuri në dukje edhe pjesëmarrjen në misione të tjera të ushtrisë sonë dhe se ne i kemi arritur 2 për qind të BPV-së si detyrë e jona.

Lidhur me jubileun 75-vjetor nga themelimi i NATO-s (4 prill 1949), kreu i diplomacisë theksoi se politika e dyerve të hapura është një nga politikat më të suksesshme të Aleancës.

"Dua të shpreh kënaqësinë për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës, ne nuk jemi më anëtarja më e re. Me kapcitetet e tyre mbrojtëse, roli i NATO-s dhe i të gjithë aleatëve sigurisht që do të forcohet. Por integrimi evropian është edhe një çështje sigurie, kështu që BE-ja do të duhet të vazhdojë me politikën e dyerve të hapura, sepse anëtarësimi në BE tashmë shihet, mbi të gjitha, si një çështje sigurie që do të konsolidojë rajonin edhe në atë drejtim", theksoi Osmani.

Në seancë u drejtuan edhe zëvendëskryeministri i parë Bojan Mariçiq dhe ministrja e mbrojtjes Slavjanka Petrovska.

Republika e Maqedonisë së Veriut u bë vendi i 30-të anëtar i Aleancës më 27 mars 2020, 27 vjet pasi Kuvendi në vitin 1993 njëzëri miratoi Rezolutën që përcakton prioritetet e politikës së jashtme të vendit - anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Më 15 nëntor 1995, vendi nënshkroi dokumentin kornizë për anëtarësim në programin Partneriteti për paqe, më 14 qershor 1996 u hap Zyra për lidhje, ndërsa në fund të vitit 1997 Misioni i Përhershëm në selinë e NATO-s në Bruksel.

Në prill të vitit 1999, në Samitin e NATO-s në Uashington, Republika e Maqedonisë fitoi statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Aleancë, pas së cilës filloi përgatitja dhe zbatimi i Planit të Veprimit për anëtarësim.

Ftesa e anëtarësimit pritej në Samitin e NATO-s në Bukuresht në vitin 2008. Atë në atë kohë e morën Kroacia dhe Shqipëria, por në deklaratën përfundimtare të atij samiti, Aleanca mori vendim që vendi të marrë ftesë për anëtarësim pas zgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë.

Më 25 dhjetor 2017, Kuvendi miratoi një deklaratë për përshpejtimin e proceseve reformuese dhe integruese për anëtarësimin në NATO. fc/ ls/

Foto: Printskrin

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR