• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Katër shtetas të Maqedonisë së Veriut do të shkojnë nga Gaza përmes vendkalimit Rafah

Katër shtetas të Maqedonisë së Veriut do të shkojnë nga Gaza përmes vendkalimit Rafah

Gazë, 2 nëntor 2023 (MIA) - Autoritetet kufitare në Gazë publikuan një listë prej 596 shtetasve të huaj dhe persona me shtetësi të dyfishtë nga 15 vende të cilëve u është lejuar që sot të largohen nga Gaza, në mesin e të cilëve edhe katër shtetas të Maqedonisë së Veriut. 

Më shumë se 500 njerëzve u ishte lejuar që të largohen dje, kur për herë të parë pas disa javëve ishte hapur vendkalimi. 

Autoritete palestineze e publikuan listën me emra para orës 2 të mëngjesit sipas kohës lokale, duke treguar se personat duhet të jenë në vendkalimin kufitar në orën 7 të mëngjesit. 

Ministria e Punëve të jashtme të Maqedonisë së Veriut dje e përshëndeti vendimin për hapjen e vendkalimit kufitar Rafah mes Rripit të Gazës dhe Egjiptit, me çka mundësohet evakuim i shtetasve të huaj, duke përfshirë edhe pesë shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut. 

"Siç informuam më parë, qytetarët tanë që ndodhen në Gazë tashmë janë të përfshirë në listat e evakuimit dhe presim që së shpejti të realizohet e njëjta sipas rrethanave në terren dhe dinamikës së evakuimit, duke pasur parasysh numrin e madh të shtetasve të huaj në Gazë të cilët janë pjesë e këtij operacioni. Nëpërmjet komunikimit të ngushtë dhe të vazhdueshëm me institucionet kompetente të Egjiptit dhe Izraelit, si dhe me qytetarët tanë, Ministria e Punëve të Jashtme është e përfshirë menjëherë dhe në mënyrë aktive, me qëllim evakuimin e shpejtë dhe të sigurt të qytetarëve tanë", njoftoi MPJ. 

Personat që janë në listën e të huajve dhe me shtetësi të dyfishtë, të publikuar nga autoritetet kufitare të Gazës, përveç katër shtetasve nga Maqedonia e Veriut, janë edhe nga Azerbajxhani (8), Belgjika (50), Bahreini (6), Çadi ( 2), Kroacia (23), Greqia (24), Hungaria (20), Itali/KB (4), Meksika (2), Holanda (20), Koreja e Jugut (5), Sri Lanka (17), Zvicra (11) dhe nga SHBA (400 ). fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s


 

 

QËNDRONI TË LIDHUR