• e enjte, 26 dhjetor 2024

Katër markete nuk kanë respektuar vendimet qeveritare për ngrirjen e çmimeve, ka konstatuar ISHT-ja

Katër markete nuk kanë respektuar vendimet qeveritare për ngrirjen e çmimeve, ka konstatuar ISHT-ja

Shkup, 18 mars 2023 (MIA) - Nga mbi 250 inspektime të kryera, Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) ka konstatuar se katër subjekte nuk kanë respektuar vendimet e fundit të Qeverisë për ngrirjen e çmimeve të disa produkteve ushqimore.

Siç ka informuar sot drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Goran Trajkovski bëhet fjalë për subjekt ekonomik në Ohër i cili ka shitur bukën me çmim më të lartë se sa është përcaktuar në vendimin e çmimit të bukës për 33 denarë si edhe për tre subjekte ekonomike nga Ohri, Manastiri dhe Kërçova të cilat nuk kanë respektuar vendimin për uljen e çmimeve të pastave dhe produkteve të qumështit.

"Pas hyrjes në fuqi të vendimit të fundit, pra dy ditët e fundit janë kryer mbi 250 kontrolle në të gjithë territorin. Nga kontrollet është konstatuar se janë respektuar vendimet, përveç te katër subjektet ekonomike për të cilët është shqiptuar urdhërpagesë në vlerë prej mbi 1.120.000 denarë", tha Trajkovski.

Ai shprehu besimin se inspektorati punon me kapacitet të plotë dhe kryen kontroll në të gjithë territorin e vendit.

"Është mirë që janë sjell vendime të tilla, sepse në radhë të parë janë për të mirën e qytetarëve, por tregtarët nuk duhet të presin të sillen vendime, pastaj të ulin çmimet, apeloj që aty ku ka mundësi të ulen edhe çmimet e produkteve të tjera që janë të nevojshme për qytetarët. Në kohë krize nevojitet solidaritet, jo përfitim", tha ai.

Trajkovski mes tjerash theksoi se inspektorati mbetet në terren për të ndjekur nëse veprohet konform vendimeve të Qeverisë.

Ndryshe, përveç çmimeve të ngrira të bukës, pastave dhe produkteve të qumështit, pritet që nga java ardhshme të bëhen analiza me çka do të përcaktohet nëse do të ngrihen çmimet edhe të sheqerit, vezëve dhe orizit.

Foto: Arkivi

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR