• e martë, 24 dhjetor 2024

Kasanof: Ne shohim përkushtim të qeverisë ndaj eurointegrimeve dhe reformave të nevojshme

Kasanof: Ne shohim përkushtim të qeverisë ndaj eurointegrimeve dhe reformave të nevojshme

Shkup, 5 dhjetor 2024 (MIA) - Ne shohim përkushtim të Qeverisë për integrimet evropiane dhe reformat e nevojshme, jo vetëm në atë që thotë, por edhe në atë që bën, thotë zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit për Ballkanin Perëndimor, Aleksandar Kasanof, pas takimit të përbashkët me kryeministrin Hristijan Mickoski.

Mickoski, nga ana tjetër, tha se ajo që i mbetet vendit është të kërkojë zgjidhje për fillimin dhe përfundimin e procesit të aderimit në Bashkimin Evropian dhe ndërkohë, siç tha ai, "të përfundojmë detyrat e shtëpisë që kanë të bëjë me sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit".

"Detyra jonë është të vazhdojmë t’i forcojmë këto marrëdhënie, ta thellojmë bashkëpunimin tonë dhe të sigurojmë që të mirat e këtij partneriteti t’i ndjejnë të gjithë qytetarët tanë. Fuqishëm qëndrojmë në anën e demokracisë, paqes dhe prosperitetit dhe do të vazhdojë të zbatojë të gjitha hapat e nevojshëm për përparimin e përbashkët, të frymëzuar ndër të tjera, edhe nga miqësia me SHBA-në", tha kryeministri Mickoski në konferencën e përbashkët për media. 

Në sferën e reformave ekonomike, Mickoski tha se po arrihen rezultate në përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve dhe disiplinës në institucione.

"E gjithë kjo është detyrë shtëpie. Këto janë dy rrugë paralele ku duhet të ecim dhe është shumë e rëndësishme që ato të varen nga ne dhe do të bëjmë gjithçka për ta realizuar këtë, veçanërisht kur bëhet fjalë për reformat dhe gjithçka që paraqet detyrë të shtëpisë", ka thënë kryeministri.

I pyetur nëse mund të pritet zgjerim i listës së zezë, zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit për Ballkanin Perëndimor, Kasanof tha se nuk mund të japë detaje për momentin, por tha se është prioritet i tyre dhe diçka në të cilën punon SHBA.

"Dua të nënvizoj se mbështetja jonë për luftë kundër korrupsionit është diçka që ne e marrim shumë seriozisht në SHBA dhe diçka me të cilën përballemi në disa mënyra këtu në Maqedoninë e Veriut. Kemi disa programe që i përdorim për të mbështetur përpjekjet tona për luftë kundër korrupsionit. Sa i përket listës së zezë apo sanksioneve, nuk mund të japë detaje për momentin, por mund t'ju siguroj se është prioriteti ynë dhe është diçka për të cilën po punojmë", tha Kasanof.

Në lidhje me mbështetjen e SHBA-së për vendin dhe ardhjen e presidentit të ri Donald Tramp në janar, Kasanof në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve tha se nuk mund të flasë për administratën e re në ardhje, por atë që mund ta thotë është se në muajt e ngelur deri në fund të administratës së Bajdenit, SHBA do të vazhdojë të investojë në përpjekjet e tyre për reformat e vazhdueshme në vend.

"Është jo adekuate që unë të flas për administratën e re në ardhje, kjo varet nga ata, por ajo që mund t'ju them është se në muajt e ngelur deri në fund të administratës së Bajdenit, ne do të vazhdojmë të bëjmë përpjekjet tona lidhur me Maqedoninë e Veriut për të mbështetur reformat e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt BE-së", ka thënë Kasanof.

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR