• e shtunë, 23 nëntor 2024

Kasami paralajmëron mundësinë e korrigjimit të faturave të reja komunale

Kasami paralajmëron mundësinë e korrigjimit të faturave të reja komunale

Tetovë, 1 prill 2024 (MIA) - Pas numrit të madh të ankesave të qytetarëve për faturat e reja komunale, sot kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami informoi se me kompaninë Zaubermaher ka mbajtur takim për tejkalimin e lëshimeve.

Ai paralajmëroi shuma fikse për ujin dhe kanalizimin, ndërsa metodologjia për grumbullimin e mbeturinave mbetet të paguhet për metër katror.

"Për fshatrat e malësisë së Sharrit çmimi i mbeturinave do të jetë 340 denarë, derisa në Reçicën e Madhe dhe të Vogël, Poroj, Xhepçishtë, Falishtë dhe Saraqinë çmimi do të jetë 540 denarë. Sa i përket çmimit të ujit të pijshëm dhe ujërave të zeza, çmimi për shtëpi do të jetë 320 denarë, ndërsa për ata që jetojnë në banesa 230 denarë. Për të gjithë qytetarët që kanë më shumë se një vendbanim do të paguajnë 50 për qind të hapësirës së banueshme dhe 100 denarë për ujë dhe 100 denarë për pastërtinë publike. Kjo metodologji do të zbatohet edhe për mërgimtarët. Gjithashtu, për të gjitha faturat e muajit shkurt do të fshihet pagesa e ujit dhe kanalizimeve. Qytetarët do të duhet të paguajnë vetë për mbeturinat dhe pastërtinë publike. Ata që kanë paguar ujin dhe kanalizimet do të jenë me abonim, kështu që fatura e tyre do të ulet muajin tjetër", informoi Kasami në konferencën e sotme.

Për korrigjimin e faturave të shërbimeve komunale ku janë vërejtur disa lëshime, sipas Kasamit, qytetarët nuk duhet të shkojnë deri në Pallçishtë ku Zaubermaher e ka selinë e vet.

Në rastet kur një objekt ka disa pronarë dhe për të gjithë kanë ardhur faturat, njëri prej tyre duhet të marrë përsipër t'i paguajë.

"Një nga pronarët do të duhet të vijë dhe të japë një deklaratë se do të mbulojë shpenzimet e atij apartamenti. Nëse duan të marrin një faturë, njëri prej tyre duhet të vijë dhe të japë deklaratë se për të gjithë apartamentin do të mbulojë shpenzimet komunale", theksoi Kasami. 

Sipas tij, Komuna e Tetovës ka çmimin më të ulët në vend për shërbimet që kanë të bëjnë me mbeturinat, ujin dhe kanalizimin.

Nga 1 shkurti, menaxhimin e mbetjeve e mori kompania Zaubermaher përmes një partneriteti publiko-privat. qa/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR