• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kasami paralajmëroi protesta nëse nuk marrin anëtarin e tyre në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve

Kasami paralajmëroi protesta nëse nuk marrin anëtarin e tyre në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve

Tetovë, 20 dhjetor 2023 (MIA) - Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami sot nga Tetova njoftoi se do të protestojnë nëse nuk lejohet në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) të ketë një anëtar nga blloku politik opozitar në mesin e partive të shqiptarëve. Këtë ai e theksoi, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari se çfarë do të ndodhë nëse nuk e kanë anëtarin e tyre në KSHZ, duke theksuar në të njëjtën kohë se kjo është e paraparë me ligjin përkatës zgjedhor.

"Është çështje e drejtë ligjore, nuk ka mundësi për llogaritje, vetë kërkesa e kryetarit të Kuvendit që iu bë partive opozitare dhe jo Aleancës për Shqiptarët që pretendonte se duhej ta merrte atë mandat, tregon se ligji është i qartë. Por kryetari i Kuvendit ende po tenton të krijojë obstruksione në këtë pjesë duke u dërguar një letër partive që nuk ekzistonin deri në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe këtë e kërkon ligji, pra partive të dala nga zgjedhjet e fundit parlamentare. Pra ligji është i qartë", tha Kasami.

Ai tha se si parti opozitare kanë një propozim konkret se cili person të jetë deputet dhe shpresojnë që Kuvendi të veprojë në përputhje me ligjin.

"Ata janë legjislativ dhe nëse nuk respektojnë ligjin dhe nuk mund të presim që të tjerët ta respektojnë. Shpresojmë që para se të formohet zyrtarisht Qeveria teknike, do ta marrim anëtarin tonë sepse ky është parakusht për zgjedhje të ndershme dhe demokratike. Por nëse, gjithsesi, kryetari i Kuvendit vazhdon t'i injorojë ligjet, në një rast thashë se nuk do të lejojmë të organizohen zgjedhje ku të gjitha partitë dhe të gjithë qytetarët nuk do të kenë të drejtë të barabartë për të marrë pjesë dhe ta japin votën e tyre dhe të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në zgjedhjet e ardhshme. E dhashë shembull se do të protestojmë, do të shfrytëzojmë të gjitha të drejtat tona demokratike që të mos lejojmë që në Maqedoni të organizohen zgjedhje jodemokratike dhe të padrejta", tha Kasami nga Tetova, ku si kryetar komune promovoi një rrugë të rindërtuar. sa/

Foto. MIA

QËNDRONI TË LIDHUR