Kasami: Mirë shkon e gjithë procedura për dakordimin e qeverisë së ardhshme
- Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami sot nga Tetova ka informuar se e gjithë procedura për marrëveshjen për qeverinë e ardhshme po shkon mirë. Sipas tij, po bisedohen parimet e funksionimit të qeverisë së ardhshme, pra harmonizohen programet etj.
- Post By Fami Bajrami
- 14:02, 20 maj, 2024
Tetovë, 20 maj 2024 (MIA) - Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami sot nga Tetova ka informuar se e gjithë procedura për marrëveshjen për qeverinë e ardhshme po shkon mirë. Sipas tij, po bisedohen parimet e funksionimit të qeverisë së ardhshme, pra harmonizohen programet etj.
Në manifestimin “Dita e hapur” në organizim të shkollave të mesme në Tetovë ai shfaqi shpresë se negociatat do të rezultojnë me qeveri e cila, siç tha, do të jetë kompetente, me profesionistë dhe me njerëz që do të punojnë për shtetin dhe për qytetarët pa dallim të përkatësisë etnike.
"Jemi të vetëdijshëm se në një shtet dhe shoqëri multietnike siç është Maqedonia jo të gjithë ministrat mund të jenë shqiptarë dhe maqedonas. Por ajo që është e rëndësishme është që kushdo që të jetë në një ministri duhet të punojë për të gjithë qytetarët pavarësisht përkatësisë etnike, fetare apo tjetër. Në këtë fazë kemi një mirëkuptim mes partnerëve që bien dakord për Qeverinë e ardhshme që pavarësisht se kush do të ulet në cilën karrige, ajo do të duhet të funksionojë për të gjithë qytetarët. Kjo është shumë e rëndësishme për ne sepse në të kaluarën edhe pse ka pasur shumë ministri që udhëhiqeshin nga shqiptarët edhe ato ministri nuk kanë punuar sa duhet për shqiptarët dhe për të tjerët për maqedonasit dhe për qytetarët e tjerë. Pra, përkatësia etnike nuk është gjëja më e rëndësishme për ne për të realizuar atë që kemi premtuar", deklaroi Kasami.
Për deklaratën e Ali Ahmetit se rivotimi të mërkurën mund të sjellë tensione ndëretnike, Kasami komentoi se kjo ka ndodhur në të kaluarën.
"Secili flet vetë me atë që di të bëjë. Ali Ahmeti, kështu është dakorduar në të kaluarën dhe kështu ka vepruar në të kaluarën. Ali Ahmeti e di se si i ka marrë këto mandate që i ka marrë tani. Prandaj është në panik. Ne thjesht themi t'u japim qytetarëve mundësinë që të mërkurën të dalin dhe të votojnë. Nëse është i sigurt për ato vota që ka marrë, duhet të jetë i qetë se do t'i marrë sërish. Nëse e di që i ka marrë në mënyrë jo demokratike, jo korrekte, nuk është vullneti i lirë i qytetarëve, atëherë është në panik. Ne themi se duhet të krijojmë kushte të mërkurën që ata qytetarë të dalin dhe të votojnë lirshëm që të mund të themi se kush do të jetë përfaqësuesi i tyre në Kuvend. Shpresojmë se do të kemi rezultat të mirë", deklaroi lideri i Lëvizjes Besa.
Kasami kumtoi se nuk do të jetë deputet dhe do ta mbajë postin e kryetarit të komunës. rq/
Foto: MIA