• e premte, 27 dhjetor 2024

Kasami kërkon përgjegjësi nga Prokuroria për procesin gjyqësor për zjarrin në spitalin modular në Tetovë

Kasami kërkon përgjegjësi nga Prokuroria për procesin gjyqësor për zjarrin në spitalin modular në Tetovë

Tetovë, 16 gusht 2023 (MIA) - Kryetari i Lëvizjes Besa dhe kryetari i Komunës së Tetovës, Bilal Kasami, në një konferencë për shtyp sot kërkoi përgjegjësi nga Prokuroria për procesin gjyqësor për zjarrin në spitalin modular ku 14 persona e humbën jetën. Sipas tij, sistemi i vret tre herë ata 14 persona.

"Jetët e humbura në spitalin modular në Tetovë dhe familjarët e tyre u vranë tri herë nga padrejtësitë dhe vendimet skandaloze të këtij sistemi, i cili i vetëm nuk solli kurrë drejtësi. Herën e parë u vranë sepse fshihnin fajtorët e vërtetë në këtë rast. Herën e dytë u vranë sepse drejtësia politike dhe korruptive ndëshkoi ata që mund të ishin më pak përgjegjës në këtë rast. Herën e tretë i vratë kur Ministria e Shëndetësisë e kryesuar nga Fatmir Mexhiti i propozoi qeverisë që t'i paguante mjetet e mbetura financiare fajtorit kryesor, BRAKO-s, e cila në vend që të ndëshkohej, u shpërblye me paratë e popullit, tha Kasami në konferencën partiake per shtyp.

Kasami kërkoi përgjegjësi nga prokurorët, pasi, sipas tij, të gjeturat e hetimeve nga raporti i ekipit mjeko-ligjor të ekspertëve gjermanë dhe të gjeturat e inxhinierit elektroteknik nga ky rast nuk janë marrë asnjëherë parasysh në procedurë gjyqësore.

"Në raportet e tyre, ata theksojnë se kablloja ka marrë flakë për shkak të mungesës së instalimit adekuat dhe korrekt të kryer nga kompania BRAKO dhe se arsyeja e Spitalit Modular që ka marrë flakë dhe është djegur në kohë rekord është për shkak se ndërtimi dhe materiali nga të cilat ishte bërë ishin joadekuate dhe të cilësisë së dobët. Pyetim publikisht prokurorët e këtij rasti, të udhëhequr nga ish-kryeprokurori i parë Joveski dhe pasardhësja e tij Josifovska, pse gjatë gjykimit të këtij rasti asnjëherë nuk janë marrë parasysh raportet dhe kontaktet e ekipit gjerman të mjekësisë ligjore, dhe në të njëjtën kohë kohë inxhinierit elektrik të cilët si bazë në raportet e tyre tregojnë fajtorët e vërtetë dhe kryesorë për këtë tragjedi, e cila është kompania e ish-zëvendëskryeministrit Angjushev, për punën e papërshtatshme të kryer sipas specifikimeve të tenderit të spitalit modular", tha Kasami.

Ai, siç tha, u bën një apel serioz dhe të fortë organeve të drejtësisë.

"Mos luani me emocionet e familjarëve në këtë tragjedi që mori 14 viktima: Dënoni fajtorët e vërtetë sipas raporteve dhe njohurive neutrale dhe eksperte për këtë rast. Urdhëdhënës i këtij spitali modular është Qeveria, më saktësisht Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Venko Filipçe dhe ndërtues i projektit, që është kompania e ish-zëvendëskryeministrit Angjushev. Ky rast nuk mund të mbyllet si aksident, fajtorët duhet të mbajnë përgjegjësi, mos i fshihni, kur tashmë i gjithë opinioni e di se kush janë ata", theksoi Kasami.

Në konferencën për shtyp Kasami shoqërohej nga Artan Etemi, kuadër i Lëvizjes Besa, i cili ishte ish-drejtor ekonomik i Spitalit Klinik dhe u dënua me kusht për zjarrin në spitalin modular. ls/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR