• e shtunë, 28 dhjetor 2024

Kasami: Dorëheqje dhe përgjegjësi me burg për rastin në Klinikën e Onkologjisë!

Kasami: Dorëheqje dhe përgjegjësi me burg për rastin në Klinikën e Onkologjisë!

Tetovë, 4 shtator 2023 (MIA) - Lëvizja Besa kërkon përgjegjësi për ngjarjet në Klinikën e Onkologjisë dhe dorëheqjen e ministrit aktual të Shëndetësisë. Gjithashtu ai apelon tek organet kompetente, MPB-ja dhe Prokuroria që të veprojnë sipas ligjit.

"Ministrat dhe çdo funksionar i kësaj Qeverie, janë të gatshëm të bëjnë gjithçka, edhe të marrin jetë të njerëzve, vetëm që të pasurohen vetë. Këtë më së miri e dëshmon rasti me keqpërdorimet e barnave në Klinikën e Onkologjisë. Imagjinoni, pacientët me sëmundje të rënda, edhe pse i paguajnë tatime dhe sigurime këtij shteti, lihen korridoreve të spitaleve pa terapi, ose po u jepen terapi të rrejshme të cilat u shkaktojnë vdekjen. A nga ana tjetër, pa turp, pa moral dhe pa ndjenja njerëzore, ilaçet për mjekimin e sëmundjeve të rënda, siç është edhe kanceri, fshihen nga disa persona të personelit të Onkologjisë dhe shiten në mënyrë private. Dhe pas të gjithë këtij skandali, i cili në opinion përflitet thuajse dy vite, kryeministri dhe ministrat, dalin në opinion dhe në vend që të japin dorëheqje, ata, pa iu skuqur fytyra, arsyetohen dhe thonë se duhet të ketë përgjegjësi", tha sot në konferencën për shtyp  kryetari i partisë Bilall Kasami.

BESA kërkon që përgjegjësit për këto, siç tha Kasami, akte çnjerëzore dhe monstruoze, të marrin dënimin maksimal me burg.

Partia, shtoi Kasami, dyshon se do të ketë drejtësi  dhe përgjegjësi për këtë rast, siç nuk ka pasur edhe për "Besa Transin", "Durmo Tursin" dhe Spitalin Modular në Tetovë, 

"Fajtorët kryesorë të këtyre tragjedive janë të lirë dhe pa akuza. Por është për keqardhje edhe fakti që qytetarët paralajmërojnë për skandale të tilla dhe klinika të tjera. Qytetarët gjatë ditës së djeshme në rrjetet sociale kanë shpërndarë informacione se për më shumë se gjashtë muaj Klinika e Kardiologjisë në Shkup nuk ka sallë për kirurgji elektrofiziologjike dhe mbi 170 pacientë po vuajnë pa gjetur shërim apo zgjidhje. Kërkojmë nga kryeministri Kovaçevski që menjëherë të dalë dhe të deklarohet nëse këto informacione janë të sakta dhe njëkohësisht i bëjmë thirrje organeve kompetente, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Prokurorisë që të veprojnë sipas ligjit. Imagjinoni çfarë sistemi shëndetësor kemi, çfarë udhëheqësi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe çfarë kryeministri. Ndërsa qytetarët tanë po vdesin nëpër korridoret e klinikave nga vjedhja e terapive, ata dalin dhe thonë se duhet të ketë përgjegjësi. Kush duhet të mbajë përgjegjësi? Në këtë rast përgjigjen e jep proverba popullor se "peshku qelbet nga koka", dhe kur qeveria është e korruptuar nga koka te këmbët, nuk mund të ketë përgjegjësi më të madhe se kryeministri dhe ministri i shëndetësisë", vuri në dukje Kasami. sa/

foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR