Kambovski për rastin e gazetares së ndëshkuar Vejseli: Procedura është ende në vazhdim, Këshilli Gjyqësor do të ndërhyjë nëse e konsideron të nevojshme
- Procedura është ende në vazhdim dhe në momentin kur Këshilli Gjyqësor do ta vlerësojë të nevojshme të ndërhyjë, do ta bëjë këtë - deklaroi sot kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, në lidhje me rastin e gazetares Liridona Vejseli nga Tetova, e cila u dënua me 700 euro për veprën penale të keqpërdorimit të të dhënave personale në një temë gazetareske sepse publikoi emrin e një gjyqtari nga Gjykata Themelore në Tetovë.
- Post By Sara Ademi
- 14:49, 3 shkurt, 2026
Shkup, 3 shkurt 2026 (MIA) - Procedura është ende në vazhdim dhe në momentin kur Këshilli Gjyqësor do ta vlerësojë të nevojshme të ndërhyjë, do ta bëjë këtë - deklaroi sot kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski, në lidhje me rastin e gazetares Liridona Vejseli nga Tetova, e cila u dënua me 700 euro për veprën penale të keqpërdorimit të të dhënave personale në një temë gazetareske sepse publikoi emrin e një gjyqtari nga Gjykata Themelore në Tetovë.
Ajo u ndëshkua me vendim të gjyqtares Magdalena Mishoska të Gjykatës Themelore në Gostivar për përmendjen e gjyqtarit Ilazi në një temë që ajo trajtoi në lidhje me një vepër penale.
"Këshilli Gjyqësor monitoron punën e të gjitha gjykatave në vend, përfshirë punën e gjykatës konkrete dhe gjyqtarit konkret. Këtu, po flasim për një procedurë që është ende në vazhdim. Pra, procedura nuk ka përfunduar. Ne po monitorojmë dhe në momentin kur Këshilli Gjyqësor vlerëson se duhet të ndërhyjë, do ta bëjë këtë", deklaroi Kambovski, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske pas konferencës "Forcimi i Efikasitetit dhe Pavarësisë së Gjyqësorit në Maqedoni".
Në shpjegimin me shkrim të vendimit nga gjyqtarja Mishoska thuhet se Vejseli është dënuar për veprën penale të keqpërdorimit të të dhënave personale sepse më 28 tetor 2024, pa pëlqimin e gjyqtarit Nazif Ilijazi, ajo ka publikuar video në profilet e saj në TikTok dhe Instagram në të cilat ka përdorur të dhënat e tij personale, emrin dhe mbiemrin, duke dëmtuar kështu nderin dhe reputacionin e tij dhe aktivitetin e tij profesional, të cilin ai e kryen për më shumë se 37 vjet në Gjykatën Themelore në Tetovë.

Gazetarja Vejseli paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit. Për MIA-n ajo para dy ditësh tha se vendimi është një precedent i turpshëm.
"U ndëshkova vetëm sepse, gjatë raportimit profesional dhe publik, përmenda emrin dhe mbiemrin e gjyqtarit Nazif Iljazi, një mbajtës i një funksioni publik, i cili mori vendim për lirimin e një personi nga paraburgimi. Kjo nuk është mbrojtje e drejtësisë, por një goditje e drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias dhe një mesazh i qartë i frikësimit të gazetarëve. Nëse paraqitja e fakteve dhe emërtimi i personave përgjegjës ndëshkohet, atëherë ky vend nuk mbron demokracinë, por heshtjen", tha Vejseli.
Këtë fundjavë, pati reagime nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, e cila në një kumtesë shprehu shqetësim serioz, duke vlerësuar se "ky vendim dërgon një mesazh negativ në lidhje me lirinë e shprehjes dhe liritë e medias".
Edhe kryeministri Hristijan Mickoski, në përgjigje të pyetjes së një gazetari, dënoi "këtë lloj kufizimi të lirisë së fjalës". sa/
Foto: MIA arkivi