Kallas: Është e nevojshme të ndalet përshkallëzimi në Lindjen e Mesme dhe të ndihmohet Ukraina
- Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, deklaroi sot se është e nevojshme të ndalet përshkallëzimi në Lindjen e Mesme pas sulmeve iraniane, duke theksuar se BE po punon paralelisht për të mbështetur Ukrainën dhe për të siguruar lundrim të sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Bruksel, 19 mars 2026 (MIA) - Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, deklaroi sot se është e nevojshme të ndalet përshkallëzimi në Lindjen e Mesme pas sulmeve iraniane, duke theksuar se BE po punon paralelisht për të mbështetur Ukrainën dhe për të siguruar lundrim të sigurt nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Kallas përpara takimit të Këshillit Evropian tha se në rendin e ditës janë tema kyçe si energjetika dhe tregu i vetëm, por se në fokus janë edhe zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, theksohet në kumtesën e Shërbimit Evropian për Punë të Jashtme. (EEAS).
Lidhur me situatën në Lindjen e Mesme, ajo theksoi se sulmet iraniane ndaj infrastrukturës energjetike të Katarit e kanë përkeqësuar shtesë situatën. "Është e qartë se na duhet një rrugëdalje nga kjo luftë, jo përshkallëzimi i saj", tha Kallas, duke shtuar se BE-ja ka filluar kontaktet diplomatike me Iranin për të gjetur zgjidhje.
Kallas theksoi se Bashkimi Evropian po punon me Kombet e Bashkuara për të siguruar kalim të sigurt për anijet përmes Ngushticës së Hormuzit, duke paralajmëruar se pasiguria aktuale kërcënon furnizimin me naftë, gaz, plehra dhe ushqim, veçanërisht në Azi dhe Afrikë.
Lidhur me Ukrainën, Kallas tha se liderët e BE-së do të shqyrtojnë çështjen e zbatimit të huasë për mbështetje që u dakordua në dhjetor. "Është koha për të treguar mbështetje për Ukrainën", tha ajo, duke shtuar se konfliktet në Lindjen e Mesme janë të lidhura me luftën në Ukrainë. Sipas saj, Rusia përfiton nga zhvillimet aktuale në Lindjen e Mesme, prandaj, siç theksoi, është e rëndësishme t'i jepet fund këtij konflikti në mënyrë që të arrihet një zgjidhje për Ukrainën që nuk nënkupton kapitullimin e saj të plotë. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s