• e martë, 24 dhjetor 2024

Kadriu: Shtyrja e vendimit për Ligjin për përdorimin e gjuhëve në dobi të shqiptarëve

Kadriu: Shtyrja e vendimit për Ligjin për përdorimin e gjuhëve në dobi të shqiptarëve

Shkup, 12 dhjetor 2024 (MIA) - Gjykatësi kushtetues, Osman Kadriu deklaroi se shtyrja e vendimit për Ligjin për përdorimin e gjuhëve është në dobi të shqiptarëve dhe se periudha deri në mbledhjen e ardhshme përgatitore duhet të shfrytëzohet për të intervenuar në Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Kadriu konsideron se statusi i gjuhës shqipe duhet të zgjidhet me Kushtetutë.

"Prej tani e njoftojmë opinionin se ne dy shqiptarët nuk do të marrim pjesë në atë takim sepse për informatën tuaj, në atë takim nuk mund të arrihet asgjë. Patëm takim përgatitor. Nuk kishte alibi tjetër, nuk kishte shkak tjetër Gjykata me shumicë të votave të sjellë një vendim të këtillë, por me atë fitojmë në kohë, sepse pas takimit përgatitor do të duhet një kohë të caktuar të përgatitet raport i ri", tha Kadriu në deklaratë për Alsat - M.

Në mbledhjen përgatitore do të thirren përpiluesit e nismave për kontestim të disa pjesëve të Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe ekspertët e fushës, pas çka do të duhet të përgatitet raport në pajtim me propozimet që do të jepen, nëse do të hiqet ligji në tërësi apo të hiqen disa nga dispozitat e tij. kadriu konsideron se deri atëherë duhet të shfrytëzohet koha për përmirësim të lëshimeve në ligj.

"Deri atëherë subjekti politik shqiptar në Qeveri dhe në parlament ka kohë, ndërkaq unë dhashë edhe propozime konkrete që të intervenohet edhe në Ligjin, sepse ligji si ligj ka disa mangësi dhe paqartësi të caktuara. Mes tyre tentova dhe e fitova betejën e parë që ligjit t'i jepet status kushtetues, sepse ligji është kushtetues", konsideron Kadriu.

Krahas mangësive juridike, gjykatësi Kadriu kërkon që statusi i gjuhës shqipe të rregullohet edhe në Kushtetutë.

"Nëse ka nevojë, ndërkaq mendoj se ka nevojë, është informuar edhe subjekti politik shqiptar, duhet edhe njëherë të hapet Kushtetuta në mënyrë që të sqarohet çështja për gjuhën shqipe si zyrtare, jo vetëm si e drejtë e pjesëtarëve të kombit shqiptar, por gjiha shqipe si e drejtë kolektive e shqiptarëve në Maqedoni të Veriut", tha Kadriu.

Me pesë vota "për" dhe një "kundër" Gjykata kushtetuese dje vendosi së pari të mbajë mbledhje përgatitore për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, ku do të ftohen edhe ata të cilët e kontestojnë Ligjin edhe ata që e mbështesin, por edhe ekspertë, e më pas të vendoset. Dy gjykatës shqiptarë në përbërjen aktuale të Gjykatës kushtetuese, Osman Kadriu dhe Naser Ajdari, siç ishte paralajmëruar, nuk morën pjesë në mbledhje. ab/

Foto: Alsat

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR