Kabineti i kryetarit të Kuvendit: Apasievi u informua se në këto kushte nuk mund të mbahet seancë mbikëqyrëse dhe se një të tillë do ta organizojë Komisioni për Shëndetësi
- Debati për mbikëqyrjen për efektet e ndotjes së ajrit do të mbahet në Komisionin e Shëndetësisë. Kryetari i Komisionit të Përhershëm Anketues për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarit Dimitar Apasiev është informuar se debati i paraparë, konform konkluzionit të Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit nuk mund të vazhdojë nën ato rrethana, informojnë për MIA-n nga Kabineti i kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi.
- Post By Sara Ademi
- 12:32, 24 shkurt, 2025

Shkup, 24 shkurt 2025 (MIA) - Debati për mbikëqyrjen për efektet e ndotjes së ajrit do të mbahet në Komisionin e Shëndetësisë. Kryetari i Komisionit të Përhershëm Anketues për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarit Dimitar Apasiev është informuar se debati i paraparë, konform konkluzionit të Komisionit për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit nuk mund të vazhdojë nën ato rrethana, informojnë për MIA-n nga Kabineti i kryetarit të Kuvendit Afrim Gashi.
"Komisioni për Çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit e shqyrton çështjen për seancën mbikëqyrëse të Komisionit të Përhershëm Anketues për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarit me temën "Efektet e ndotjes së ajrit në Shkup dhe në qytetet tjera ndaj shëndetit të njerëzve dhe masat që ndërmerren për mbrojtjen e shëndetit publik", të caktuar për më 25 shkurt të vitit 2025 dhe më 17 shkurt arriti në përfundimin se nuk janë respektuar rregullat procedurale. Për rrjedhojë, më 19 shkurt, kryetari e informoi z. Apasievin se debati i caktuar nuk mund të vazhdojë nën ato rrethana. Seanca mbikëqyrëse ku u debatua për efektet e ndotjes së ajrit do të mbahet në Komisionin e Shëndetësisë", kumtuan për MIA-n nga Kabineti i Gashit.
Komisioni kuvendor për shëndetësi sot i filloi përgatitjet për debatin mbikëqyrës për efektet e ndotjes së ajrit. Është dakorduar të premten (28 shkurt) Komisioni ta mbajë seancën e parë në të cilën deputetët, anëtarët e këtij trupi kuvendor do të diskutojnë për debatin mbikëqyrës për efektet e ndotjes së ajrit, ndërsa nga e hëna (3 mars) duhet të dorëzojnë propozim lista me pjesëmarrësit e seancës mbikëqyrëse.
Sipas dinamikës dhe marrëveshjes së koordinimit të sotëm me kryetaren e Komisionit për Shëndetësi Rashella Mizrahi ku morën pjesë përfaqësuesit e të gjitha grupeve parlamentare, seanca mbikëqyrëse për ndotjen e ajrit duhet të fillojë më 21 mars.
Mizrahi në një deklaratë për MIA-n thotë se të premten në seancë anëtarët e Komisionit për Shëndetësi do të dakordohen se si do të realizohet ky debat, ndërsa pasi të dorëzohen listat me propozime për pjesëmarrësit, do të bëhet lista e vetme dhe do të dërgohen ftesat.
Paradite nga shërbimi kuvendor për informim mbërriti edhe njoftimi për seancën mbikëqyrëse të caktuar për ndotjen e ajrit nga ana e kryetarit të Komisionit të Përhershëm Anketues për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarit Dimitar Apasiev, edhe pse sipas konkluzioneve të Komisionit për Çështje të Rregullores, Imunitetit dhe Mandatit se nuk janë respektuar rregullat procedurale, kryetari i Kuvendit Gashi e ka informuar Apasievin se debati i caktuar nuk mund të vazhdojë nën ato rrethana.
Nga grupi i deputetëve E Majta për pasdite njoftojnë koordinim sipas të cilit, siç informojnë për MIA-n, do të dalin me detaje për mbajtjen e seancës mbikëqyrëse të caktuar për nesër, 25 shkurt.
"Ne jemi të qëndrimit se seanca mbikëqyrëse do të mbahet. Tani janë dhejtëra të ftuar të cilët e konfirmuan praninë. Por, pasdite do të kemi koordinim dhe do të ketë më shumë informata", thonë nga grupi i deputetëve.
Apasiev e caktoi seancën mbikëqyrëse për efektet e ndotjes së ajrit me nënshkrime prej 20 deputetëve të opozitës, por shumica qeveritare reagoi në procesin e organizimit të debatit, por edhe në faktin se kërkesa për debatin mbikëqyrës nuk duhet vetëm të ndiqet te deputetët, por kryetari i Kuvendit vendos se cili trup i Kuvendit do ta organizojë. sa/
Foto: Arkivi i MIA-s