• e shtunë, 23 nëntor 2024

Kabineti i Gashit: Përdorimi i gjuhës shqipe në komunikimin zyrtar është i garantuar me Kushtetutë

Kabineti i Gashit: Përdorimi i gjuhës shqipe në komunikimin zyrtar është i garantuar me Kushtetutë

Shkup, 30 maj 2024 (MIA) - Kabineti i kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, ka reaguar ndaj ankesës së ministres së Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska nga LSDM-ja për betimin që ka dhënë fillimisht në gjuhën shqipe, pastaj në gjuhën maqedonase.

Nga Kabineti i Gashit thonë se përdorimi i gjuhës shqipe në komunikimin zyrtar është i garantuar me Kushtetutë.

"Kryetari i Kuvendit ushtron të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në komunikimin zyrtar, që është e garantuar me Kushtetutën, ligjet dhe rregulloret në fuqi të Kuvendit. Këtë të drejtë ligjore ai do ta ushtrojë gjatë gjithë mandatit. Kryetari Gashi avokon që të gjitha procedurat parlamentare, në përputhje me të drejtat dhe obligimet që dalin nga ligjet, ta respektojnë dhe avancojnë shoqërinë tonë multikulturore", thuhet në reagim.

Deputetja e LSDM-së dhe ministre e Kulturës në largim, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, njoftoi se tashmë ka dorëzuar ankesë në Departamentin për Inspektim të Ministrisë së Kulturës kundër kryetarit të ri të Kuvendit, Afrim Gashi. sepse ai duhej ta bënte betimin fillimisht të lexuar në maqedonisht, e më pas në shqip.

"Ligji për përdorimin e gjuhës maqedonase është rezultat i përpjekjeve dhe politikave tona për afirmimin dhe përdorimin e drejtë të gjuhës maqedonase. Nuk mund dhe nuk duhet të heshtet betimi solemn i dhënë në mënyrë skandaloze, tashmë nga personi i parë i Kuvendit të Maqedonisë. Për këtë arsye tashmë kam parashtruar ankesë në Departamentin për Inspektim në Ministrinë e Kulturës dhe do të vazhdoj t'i përdor të gjithë mekanizmat që janë aktualisht në dispozicion për mbrojtjen dhe përdorimin e gjuhës maqedonase. Prisja që për këtë sjellje të reagonte presidentja aktuale e shtetit, Siljanovska-Davkova, me të cilën atëherë në rolin e deputetes e përpunuam tekstin e Ligjit për përdorimin e gjuhës maqedonase dhe se ajo do të dënonte ashpër aktin e mosbërjes së betimit solemn në gjuhën e parë zyrtare të shtetit", tha Kostadinovska-Stojçevska për "Sloboden peçat". sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR