• e enjte, 26 dhjetor 2024

Ka përfunduar ndërtimi i pendës "Konsko", projekti më i madh kapital gjatë 50 viteve të fundit

Ka përfunduar ndërtimi i pendës

Shkup, 10 mars 2024 (MIA) - Ujitje moderne e të paktën 6.500 hektarëve gjatë gjithë vitit, rritje e sipërfaqeve të përpunueshme për pesë herë, shpenzime më të vogla dhe prodhimtari më konkurruese, do të mundësojë penda "Konsko" ndërtimi i të cilës ka përfunduar edhe zyrtarisht. Ky projekt kapital, siç u tha në ngjarjen e sotme, është më i madhi në shtet gjatë 50 viteve të fundit, ndërsa përfaqëson investim që kushton mbi 40 milionë euro, i siguruar drejtpërdrejtë nga Buxheti i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU).

Akumulimi i ri artificial është ndërtuar me shfrytëzimin e metodave më bashkëkohore teknologjike, sipas standardeve botërore. Uji nga liqeni akumulues, përveç për ujitje, do të shfrytëzohet edhe për prodhimin e energjisë elektrike. Akumulimi do të mundësojë edhe zhvillim të turizmit rural, peshkimit sportiv dhe reakreativ, por do të ketë edhe vlerë të re, shtesë me vendosjen e fotovoltaikëve të paraparë lundrues.

"Kjo është  ditë historike për vendin, për bujqësinë, për këtë rajon, për qytetarët dhe për Qeverinë. Penda Konsko është ndërtuar tërësisht, do të shënohet në dokumentet historike dhe do të jetë dëshmitare e një kohe kur nevojat e shtetit dhe qytetarëve ishin prioritet. Ky është projekti më i madh kapital për rajonin në 20 vitet e fundit dhe për shtetin në 50 vitet e fundit. Kemi kaluar edhe krizën e KOVID-it, por asgjë nuk na ka penguar të realizojmë investimin me vlerë mbi 40 milionë euro. Unë kam qenë këtu në vitin 2018, kur së bashku me kryeministrin e atëhershëm Zoran Zaev, shtypëm butonin që shënoi fillimin e punës. Që atëherë kemi ardhur disa herë, duke ndjekur të gjithë procesin, duke ndjekur testimin e pajisjeve dhe duke qenë dëshmitarë të mbushjes së parë të pendës. Prandaj, këtë projekt e perceptoj si diçka personale, por edhe si një vulë të përhershme për vendin dhe këtë rajon, projekt i cili paraqet edhe MBPEU-në si një institucion që punon për mirëqenien dhe nevojat e bujqve", theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Lupço Nikollovski.

Sipas presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski, ndërtimi i pendës "Konsko" si pjesë e Sistemit të hidromelorimit "Fusha e Gjevgjelisë" është një nga investimet më serioze në bujqësinë vendore, por edhe në plan energjetik duke pasur parasysh se transportimi i ujit për ujitje mund të shfrytëzohet edhe për prodhimin e energjisë elektrike. 

"Me këtë akumulim të ri, jugu pjellor maqedonas, fusha e Gjevgjelisë, do të ketë mundësi të ketë qasje në sasi shtesë serioze të ujit për ujitje, që është parakusht për rendiment adekuat të kulturave bujqësore. Përveç rajonit të Gjevgjelisë, rezervuari do të mund të furnizojë edhe Bogdancin dhe rrethinën e tij me ujë për ujitje, si dhe rajonin e Dojranit. Besoj se, siç u theksua edhe më parë, me investimin më të madh të dekadave të fundit në rajonin e Gjevgjelisë, fokusi dhe vëmendja ndaj bujqësisë dhe zhvillimit të rajonit tonë jugor po kthehet sërish. Pres që projekte të tilla dhe të ngjashme të vijojnë edhe në pjesë të tjera të vendit ku mungojnë rezervuarët për të mbështetur prodhimin bujqësor", tha Pendarovski.

Ish kryeministri dhe kryetar i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski potencoi se dita e sotme është shumë e rëndësishme për bujqësinë. 

"Ne po i japim fund sfidës së gjashtë dekadave. Nga sot do të ketë ujë të mjaftueshëm për ujitjen dhe zhvillimin e bujqësisë në këtë rajon. Kjo pendë, projekti më i madh në 50 vitet e fundit në vend, pak më e vogël se penda e Mavrovës, do të zhvillojë edhe turizmin, shumë shpejt do të vijnë investitorët që duan të ndërtojnë objekte këtu. Jam krenar që ky investim i madh filloi dhe përfundoi në kohën e Qeverisë së LSDM-së. Nëse në të kaluarën, dy dekada më parë, dikush mund të na kritikonte se nuk i përfundonim gjërat, ky është konfirmimi më i mirë i të kundërtës. Kjo qeveri do të mbahet mend për faktin se arriti të ndërtojë objektin më të madh investues, ndërsa qeveria e kaluar do të mbahet mend për një investim që e kishte planifikuar, por nuk e përfundoi - parapeti rreth liqenit të Ohrit, dhe ky është dallimi", theksoi Kovaçevski.

Në këtë ngjarje morën pjesë edhe ish kryeministri Zoran Zaev, deputetë, përfaqësues qeveritarë, kryetarë komunash, drejtorë të ndërmarrjeve dhe partnerëv socio-ekonomikë në MBPEU. Shkurt foli edhe drejtori ekzekutiv i firmës kontraktore të projektit Hasan Adali, duke u falënderuar për bashkëpunimin me MBPEU. 

Realizuesi i punimeve në pendën "Konsko" është konsorciumi turk nga kompanitë "Serka" dhe "Ak Eli", ndërsa mbikëqyrjen e ka bërë Instituti i Ndërtimtarisë. 

Pas promovimit zyrtar të ndërtimit të kryer të pendës, ishte bërë edhe shetitje në të gjitha objektet përeth. fc/

Foto/video: MIA


 

QËNDRONI TË LIDHUR