• e enjte, 26 dhjetor 2024

Ka nisur protesta për rastin me Klinikën e Onkologjisë, kërkohet vendim gjyqësor për të gjithë të përfshirët

Ka nisur protesta për rastin me Klinikën e Onkologjisë, kërkohet vendim gjyqësor për të gjithë të përfshirët

Shkup, 18 shtator 2023 (MIA) - Para Qeverisë të Republikës së Maqedonisë së Veriut filloi protesta për rastin me Klinikën e Onkologjisë. Duke kërkuar "Drejtësi për viktimat", protesta pritet të vazhdojë para objektit të Prokurorisë Themelore Publike në Shkup.

Organizatorët paralajmëruan se do t'i intensifikojnë protestat dhe ritheksuan se kërkohet një vendim gjyqësor për të gjithë të përfshirët në "skandalin me Klinikën e Onkologjisë", por edhe për zbulimin e informacioneve lidhur me hetimin e tragjedisë në spitalin modular në Tetovë. 

"Nuk do të ketë drejtësi sociale derisa të merret përgjegjësia për shuarjen e jetëve të njerëzve si pasojë e korrupsionit. Duhet të ketë drejtësi për viktimat"!, është mesazhi i protestës.

Ata theksojnë se ndryshimet e miratuara në Kodin Penal nuk do t'i lirojnë të përfshirët nga krimet e tyre, nëse, siç theksojnë, nuk e lejojmë.

"Nuk është plotësuar ultimatumi i javës së kaluar, sidomos kërkesa që PTHP të dalë me detaje për rrjedhën e hetimeve brenda një jave dhe për ato arsye do të intensifikojmë protestat. Kërkesat dhe ultimatumi ynë nga kjo protestë janë hetimi për përfshirjen e ish ministrit Venko Filipçe dhe drejtorit Nino Vasev, zgjerimi i hetimeve për punën e Onkologjisë së Fëmijëve, revizioni i plotë i punës së Klinikës së Onkologjisë, vendime gjyqësore të formës së prerë për të gjithë të përfshirët në krimin e Onkologjisë, zbulimi i informacioneve nga hetimi për tragjedinë në spitalin modular në Tetovë, përgjegjësi e Prokurorisë Publike e cila vendosi se nuk ka krim në rastin tragjik të Janës së vogël nga Manastiri", theksojnë organizatorët.

Më herët ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, ka mbajtur një konferencë për media sot, ku ka thënë se pret që hetimet në Klinikën e Onkologjisë të përfundojnë sa më shpejt. Siç shtoi ai, pacientët do ta rifitojnë besimin tek mjekët dhe institucionet shëndetësore.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se ata që kanë shkelur ligjin do të sanksionohen, por jo të gjithë punonjësit e shëndetësisë duhet të sulmohen. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR