Ka ndërruar jetë një paciente me grip, dy pacientë janë në mbështetje respiratori në Klinikën për sëmundje infektive
- Në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup të dielën ka ndërruar jetë një paciente me grip. Aktualisht në këtë klinikë ndodheshin rreth 25 pacientë të hospitalizuar me grip, disa prej tyre me pamje më të lehtë, e të tjerë me pamje më të rëndë klinike.
Shkup, 14 janar 2026 (MIA) - Në Klinikën Universitare për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup të dielën ka ndërruar jetë një paciente me grip. Aktualisht në këtë klinikë ndodheshin rreth 25 pacientë të hospitalizuar me grip, disa prej tyre me pamje më të lehtë, e të tjerë me pamje më të rëndë klinike.
Drejtori i Klinikës së Sëmundjeve Infektive në Shkup, Dr. Fadil Cana, në deklaratë për MIA-n, informoi se bëhet fjalë për një grua 75-vjeçare me shumë sëmundje shoqëruese, tek e cila është konfirmuar prania e Influencës së tipit A.
"Dy pacientë janë aktualisht në mbështetje respiratori. Dhe këtu bëhet fjalë për persona të moshuar, me shumë sëmundje shoqëruese. Ata janë kryesisht pacientë të pavaksinuar", deklaroi për MIA-n drejtori Cana.
Mjeku u bëri thirrje edhe një herë grupeve të rrezikut që të vaksinohen kundër gripit. Ai i këshilloi ata që kishin simptoma të tilla si temperaturë, ethe, dhimbje muskujsh të qëndrojnë në shtëpi dhe të paraqiten te mejku amë. Gjithashtu, i këshilloi që të shmangin grumbullimet nëse kanë simptoma të gripit.
Analizat e deritanishme kanë treguar se deri më tani këtë sezon jemi në një situatë pak më të keqe me gripin krahasuar me vitin e kaluar, gjatë së njëjtës periudhë.
Krahasuar me vitin e kaluar, ky sezon ka aktivitet mesatar deri të lartë të virusit të gripit në nivel kombëtar, konfirmoi Cana në deklaratën për MIA-n. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s