• e martë, 02 korrik 2024

Ka filluar ndërtimi i qendrës logjistike dhe shpërndarëse “Lidl” në Reçicë të Kumanovës

Ka filluar ndërtimi i qendrës logjistike dhe shpërndarëse “Lidl” në Reçicë të Kumanovës

Kumanovë, 24 janar 2024 (MIA) - Ka filluar ndërtimi i qendrës logjistike dhe shpërndarëse "Lidl" në zonën industriale Reçicë në Kumanovë. Investimi kap vlerën 80 milionë euro dhe do të hapë mbi 150 vende pune. Hapësira përfshin sipërfaqe prej 170.997 metra katrorë, një qendër logjistike prej 63.000 metra katrorë dhe një kompleks me një godinë kryesore, zyra administrative dhe infrastrukturë të avancuar dhe do të shfrytëzojë burime të rinovueshme të energjisë. Përveç përfaqësuesve të kompanive, në hapje morën pjesë përfaqësues të qeverisë, ambasadorja e Gjermanisë dhe autoritete lokale.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se është kënaqësi që "Lidl" e zgjodhi vendin që ndodhet afër vendit të tij të lindjes Kumanovë.

"Ngjarja e sotme është një konfirmim i partneritetit tonë afatgjatë me partnerët tanë gjermanë dhe një nxitje për politikat tona ekonomike që krijojnë mjedis afarist të favorshëm dhe të parashikueshëm për investitorët e huaj që zgjedhin vendin tonë si një vend të qëndrueshëm dhe të sigurt për investimet e tyre. Besoj se 'Lidl' do të shkruajë histori të suksesshme si në vendin tonë ashtu edhe në rajon. Ashtu siç shkruan në korniza botërore, sepse beson te njerëzit dhe potenciali i tyre. Nuk është rastësi që shpesh them se shtytësi më i madh i zhvillimit tonë janë njerëzit. Ata janë pasuria jonë më e madhe dhe vlera jonë më e madhe. Dhe prandaj  duhet të investojmë në zhvillimin e tyre", ka thënë Kovaçevski.

Ai tha se përmes politikave tona me orientim euroatlantik arritëm nivelin më të lartë të investimeve të huaja prej 754 milionë euro në vitin më me krizë në Evropë.

"Krijuam kushte të favorshme për rritje në zonat e zhvillimit teknik-industrial, ku numri i të punësuarve u rrit në 18.000, ndërsa paga mesatare bruto në kompanitë, sipas të dhënave të fundit tejkaloi 60.000 denarë. Tregu vendas nuk është më i izoluar. Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor hap dyert për tregun e përbashkët evropian dhe na vendos në rrugën drejt hyrjes në Union duke rritur dhe forcuar bashkëpunimin rajonal", ka thënë ai.

Ai tha se prioriteti ynë kryesor është të punojmë me përkushtim dhe ta kthejmë Evropën në vend, të bashkuar në konceptin e një të ardhmeje të begatë evropiane.

Zëvendëskryeministri për Çështje ekonomike, Fatmir Bytyqi tha se ekipet kanë punuar me përkushtim në krijimin e kushteve për këtë qendër të shpërndarjes dhe se “Lidl” e sheh vendin si partner për sukses të përbashkët. Ai paralajmëroi edhe investime të tjera në zonë.

"Kompanitë si 'Lidl' ofrojnë model dhe nxitje pozitive për të gjithë të tjerët dhe krijojnë një kulturë të motivimit të biznesit dhe promovojnë konkurrencë të shëndetshme. E gjithë kjo ndikon në përmirësimin e produktivitetit, rritjen e numrit të të punësuarve si dhe rritjen ekonomike. Dhe hapja e zinxhirit të tregjeve 'Lidl' është poashtu e rëndësishme për zhvillimin e prodhuesve dhe furnizuesve lokal të cilët e di se tashmë në 'Lidl' kanë një partner të besueshëm", ka thënë zëvendëskryeministri.

Rubrian Haxhiev, drejtor i përgjithshëm i "Lidl" në Maqedoninë e Veriut, tha se ky është investimi më i madh në vend, ndërsa ambasadorja gjermane Petra Dreksler kujtoi marrëdhëniet e ngushta ekonomike mes dy vendeve, duke theksuar se një numër i madh i kompanive gjermane janë të pranishëm në vend dhe se sipas saj, “ky është tregues i marrëdhënieve të mira”. Duke folur për modernizimin e ekonomisë gjermane në një transformim neutral ndaj klimës, Dreksler tha se "Lidl" gjithashtu ka standarde të tilla për qëndrueshmërinë ekologjike dhe energjitë e rinovueshme.

"Lidl" në Maqedoninë e Veriut e bleu tokën në shtator 2023 përmes një thirrje publike nga komuna. Kumanova nga shitja ka arkëtuar 5.3 milionë euro.

Foto: Qeveria

QËNDRONI TË LIDHUR