• e shtunë, 23 nëntor 2024

Këshilli lokal për parandalim të Gostivarit miratoi plan me aktivitete për valën e mërgimtarëve në periudhën e verës

Këshilli lokal për parandalim të Gostivarit miratoi plan me aktivitete për valën e mërgimtarëve në periudhën e verës

Gostivar, 16 qershor 2023 (MIA) - Në sallën e Këshillit të Komunës së Gostivarit është mbajtur seanca e Këshillit Lokal për Parandalim (KLP), në të cilën përveç përfaqësuesve të vetëqeverisjes lokale kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të institucioneve tjera. Si aspekte më të rëndësishme janë shqyrtuar gjendjet dhe aktivitetet në komunikacion gjatë qëndrimit të mërgimtarëve tanë në vendlindje, mbrojtja nga zjarri në periudhën e verës dhe bashkëpunimi me institucione të tjera.

Si problem u theksua mungesa e parkingjeve, e cila sipas Basri Veselit nga DPB e Gostivarit është më e theksuar në periudhën e verës duke pasur parasysh se në të gjithë qytetin ka rreth 800 vendparkime.

"Prezenca e nëpunësve policorë në rrugë gjatë kësaj periudhe do të rritet dhe nëse është e nevojshme do të rregullohet edhe qarkullimi i veturave", tha Veseli.

Kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari theksoi se pushteti lokal punon në sigurimin e më shumë vendparkimeve me hapjen e oboreve të shkollave fillore dhe të mesme, të cilat do të mund të përdoren për parkim derisa mërgimtarët qëndrojnë në vendlindje.

"Apeloj që gjatë qëndrimit të bashkatdhetarëve tanë në vendlindje, institucionet të jenë në shërbim të tyre, qytetarët të veprojnë në cilësinë e këshillimit. Këtë vit oborret e shkollave do të shfrytëzohen si parkingje publike falas. Gjatë kësaj periudhe do të jetë e dobishme që automjetet të përdoren sa më pak dhe të kontribuohet për një rregull më të madh", tha kryetari Taravari.

Në takim u ra dakord që aktivistët e Kryqit të Kuq të përfshihen përmes aksioneve dhe fushatave të tyre për të promovuar siguri më të madhe në komunikacion dhe për të ndihmuar qytetarët në ditët e nxehta. Një fokus i veçantë ka pasur edhe në funksionimin e zjarrfikësve dhe bashkëpunimin në parandalimin dhe mbrojtjen nga zjarri.

Këshilli lokal për parandalim është formuar me projektin "Me Këshillat lokal për parandalim drejt bashkëpunimit më të mirë", si dhe pilot-projektin e zbaton Eurothink-Qendra për strategji evropiane, e mbështetur nga Ambasada e SHBA-së në Shkup. sa/

Foto: komuna e Gostivarit



QËNDRONI TË LIDHUR