• e enjte, 26 dhjetor 2024

Këshilli i Komunës së Tetovës për vitin 2024 miratoi buxhetin prej 31 milionë euro

Këshilli i Komunës së Tetovës për vitin 2024 miratoi buxhetin prej 31 milionë euro

Tetovë, 28 dhjetor 2023 (MIA) - Në sallën e Këshillit të Komunës së Tetovës, u mbajt seanca e fundit për këtë vit, e cila u përqendrua kryesisht në miratimin e buxhetit për vitin 2024. Këshilli i Komunës, me 17 vota pro, miratoi një buxhet ambicioz prej 31.086.000 eurosh, shënuar nga një rritje prej 4 milion eurosh në krahasim me vitin e kaluar.

Sipas kryetarit të Këshillit, buxheti është zhvilluar dhe planifikuar sipas kërkesave dhe nevojave të qytetarëve.

"Ajo që vlen të theksohet është fakti se tani kemi një buxhet me një rritje prej 4 milionë euro, për dallim nga viti 2021 kur buxheti ishte 27 milionë euro. Të gjithë sektorët janë të rëndësishëm dhe me peshën e tyre dhe për ta kemi ndarë në buxhet - për sektorin e urbanizmi kemi ndarë 6 milionë denarë për plane detajore urbane, 4 milionë denarë për inspektoratin komunal, 4 milionë denarë për ndërtimin e strehimores për qen të pastrehë, si dhe 6 milionë denarë për shpronësim, sepse siç e patë, përkushtimi dhe vizioni ynë është ndërtimi dhe zhvillimi i infrastrukturës rrugore", deklaroi Besar Durmishi, kryetar i Këshillit.

Nga opozita mendojnë se buxheti është shkurtuar në çdo sferë.

"Por ai ka lënë të njëjtin buxhet për punësimet e përkohshme, që për ne dhe qytetarët është një tregues i qartë se Bilall Kasami ngushëllon militantët e partisë së tij. Dhe këtë vit Tetova vazhdon të mbytet me mbeturina, me qen endacakë, me kufizime të ujit të pijshëm, me kaos në trafik, me mungesë parkingjesh, me shkolla tejet të politizuara, me nxënës që ende mësojnë në tre turne në shkolla, me korrupsion dhe nepotizmin", theksoi Liridon Disha nga këshilltarët e BDI-së.

Nga LSDM thonë se Tetova ka shumë prioritete, për të cilat ata si këshilltarë kanë pasur disa propozime.

"Në rrugën nga dy anët deri te lumi Shkumbin, të kthehet kubiku i vjetër i granitit, të luajnë të gjitha klubet sportive në stadiumin e ri të qytetit, të rindërtohet rruga afër kopshtit të vjetër, të sigurohen mjete për festivalin e këngëve të vjetra qytetare të Tetovës për Pashkë, ndihmë e njëhershme prej 3000 denarë për çdo nxënës të klasës së parë, për hapjen e qendrave pranuese për fëmijë lypës, gra viktima të dhunës në familje dhe narkomanë", theksoi Gligorije Stojanovski nga LSDM. sa/

foto: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR