• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Këshilli gjyqësor përgatit strategji të re komunikimi, mes tjerash do të shkurtohen afatet për vendimmarrje

Këshilli gjyqësor përgatit strategji të re komunikimi, mes tjerash do të shkurtohen afatet për vendimmarrje

Shkup, 26 prill 2024 (MIA) - Ndryshimi i rregullores së Këshillit gjyqësor në drejtim të parashikimit të afateve rreth lëndëve, shkurtimin e afateve për vendimmarrje, ndryshimin e rregullave për vlerësimin e gjyqtarëve për zgjedhje në gjykatat më të larta, si dhe të ketë arsyetim për përzgjedhje dhe mos përzgjedhje, ndërsa vendimet të jenë të individualizuara, të mbështeten në standarde objektive dhe të jenë konzistente dhe krahasuese, janë pjesë e ndryshimeve të parashikuara nga strategjia e re e Këshillit gjyqësor ku siç informuan në brifingun e sotëm, “duhet të zgjidhen pesë nga rekomandimet e Misionit vëzhgues të BE-së”.

Kryetarja e Këshillit gjyqësor, Vesna Dameva, në një brifing për media ka thënë se janë rreth pesë rekomandime lidhur me transparencën dhe llogaridhënien dhe në këtë drejtim është përgatitur strategjia e komunikimit e cila do të miratohet pasi kryetarët e gjykatave të japin opinionin e tyre në qershor të këtij viti.

Përpilimi i strategjisë, thekson Dameva, është pjesë e planit aksionar për zbatimin e rekomandimeve të Misionit vëzhgues të Bashkimit Evropian për funksionimin e Këshillit gjyqësor, të përgatitur në janar të këtij viti.

"Plani aksionar është bërë publik. Ai përfshin 17 rekomandime nën kompetenca të drejtpërdrejta të Këshillit gjyqësor. Për çdo rekomandim ka një person përgjegjës me masa konkrete dhe nuk guxon të ketë tejkalim të kornizës së afatit", sqaroi Dameva.

Misioni vëzhgues i BE-së në dhjetor të vitit të kaluar ka dorëzuar Raportin për funksionimin e Këshillit gjyqësor me 40 rekomandime afatshkurtra dhe afatmesme për përmirësimin e funksionimit të saj. Rekomandimet, siç informuan kohë më parë në brifingun e Delegacionit të BE-së, janë të grupuara në gjashtë segmente – struktura dhe kompetenca të vetë Këshillit gjyqësor, mandati i anëtarëve të saj, procesi i selektimit dhe zgjedhjes së gjyqtarëve, procedurat disiplinore, çështja e transparencës dhe komunikimit me publikun dhe burimet dhe financimet.

Gjithsej 17 rekomandime kanë të bëjnë me përmirësimin e praktikës dhe punës së vetë Këshillit gjyqësor dhe mund të zbatohen pa asnjë ndryshim ligjor. Prej tyre, shtatë i referohen transparencës dhe dhjetë për përzgjedhjen dhe avancimin e gjyqtarëve që është një funksion kyç i Këshillit gjyqësor.

Masat e tjera parashikojnë ndryshime kushtetuese ose ligjore dhe i referohen asaj se kush mund të zgjidhet anëtar i Këshillit gjyqësor, kohëzgjatjes së mandatit, definimit të "juristit të shquar", vendosjes së kornizës për mënyrën dhe procedurën e shkarkimit të kryetarit të Këshillit, përgjegjësia e anëtarëve të Këshillit, si dhe shpjegimi i procedurës dhe vendimit për sanksionimin e gjyqtarëve, si dhe rritjen e autonomisë buxhetore.

Raporti atëherë u shpërnda me autoritetet dhe institucionet kompetente dhe nuk u bë publike.

Misioni vëzhgues i BE-së ka qenë i përbërë nga tre ekspertë juridik nga Kroacia, Belgjika dhe Italia dhe qëndroi në vend në shtator të vitit të kaluar, ku analizoi kornizën ligjore dhe pati takime me të gjitha institucionet relevante, si dhe ekspertë nga sektori joqeveritar.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR