• e premte, 27 dhjetor 2024

Këshilli Gjyqësor për rastin në M-NAV: Gjykatat janë të pavarura në veprimin e tyre, e ndjekim punën e tyre

Këshilli Gjyqësor për rastin në M-NAV: Gjykatat janë të pavarura në veprimin e tyre,  e ndjekim punën e tyre

Shkup, 9 janar 2024 (MIA) -  Në lidhje me reaksionet e fundit në publik për situatën në M-NAV dhe moscaktim të masës së paraburgimit për katër të dyshuarit, Këshilli Gjyqësor sot ka dalë me qëndrim se gjykatat janë të pavarura në veprimin dhe vendimin e tyre, ndërsa Këshilli Gjyqësor, në kuadër të kompetencave të tij ligjore e ndjek punën e gjykatave.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale Shkup ka marrë vendime me të cilat katër persona të dyshuar për "rrezikim të sigurisë së komunikacionit ajror" në lidhje me sulmin në M-NAV, në vend të masës së paraburgimit të kërkuar nga Prokuroria,  caktoi masa kujdesi.

Për incidentin më 4 janar,  Prokuroria Themelore Publike Shkup ka hapur procedurë hetuese kundër tetë personave për të cilët ekziston dyshimi se si bashkëveprues kanë kryer vepër penale - Rrezikim të sigurisë së komunikacionit ajror sipas nenit 303 paragrafi 2 në lidhje me nenin 22 nga Kodi Penal.

Siç kumtoi PTHP, të dyshuarit më 4 janar, me veprim të përbashkët përmbarimor kanë kryer vepër penale me të cilën rrezikohet siguria e Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit, në mënyrë të kundërligjshme dhe me qëllim që të kryejnë vepër të dhunës ndaj një personi, i kanë penguar shërbimet në aeroport.

"Me veprimet e tyre ata rrezikuan sigurinë e trafikut ajror ndërkombëtar në kohën kur në hapësirën ajrore të vendit zhvilloheshin 28 fluturime nën kontrollin e M-NAV, me çka dyshohen se kanë kryer vepër penale për të cilën është paraparë dënim me burg të paktën prej pesë vitesh", thuhet në kumtesën e PTHP-së

Prokuroria Publike, duke vlerësuar se ekziston rrezik nga arratisja apo mundësia që të dyshuarit të ndikojnë në procedurë apo të përsërisin veprën penale, ka paraqitur propozim për caktimin e masës së paraburgimit për katër të dyshuarit të cilët janë privuar nga liria, ndërsa katër të tjerat janë në kërkim.

Sulmi ndodhi pas konferencës për shtyp të kryetarit të Sindikatës  Profesionale të Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski, në të cilën ai informoi se njëzet deri në tridhjetë kontrollorë të trafikut ajror dhe ndihmësit e tyre në Navigacionin e Maqedonisë  (M-NAV) pritet të fillojnë të parashtrojnë dorëheqje nga pozitat drejtuese në M-NAV, si mbështetje e aktiviteteve sindikaliste dhe reagimeve për shpalljen e fundit të punës në këtë institucion dhe sjelljen e menaxhmentit.

Qeveria sot do të mbajë mbledhje, në të cilën, siç është paralajmëruar, do të marrë vendime në lidhje me situatën në M-NAV, në mesin e të cilave edhe shkarkimin e gjithë udhëheqësisë dhe revizion për punën e deritanishme, pasi javën e kaluar tetë persona, në mesin e të cilëve edhe Bekim Neziri, ish-ministër, këshilltar i drejtorit të M-NAV dhe kryetar i degës së BDI-së, sulmuan në zyrat e navigacionit të Maqedonisë së Veriut në aeroportin në Shkup. rq/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 


Фото:МИА архива

QËNDRONI TË LIDHUR