• e shtunë, 23 nëntor 2024

Këshilli gjyqësor do të prononcohet për raportin e përpiluar pas nismës për përcaktimin e përgjegjësisë së Besa Ademit

Këshilli gjyqësor do të prononcohet për raportin e përpiluar pas nismës për përcaktimin e përgjegjësisë së Besa Ademit

Shkup, 17 janar 2024 (MIA) - Këshilli gjyqësor sot në seancë duhet të diskutojë dhe të vendosë për raportin e Komisionit të raportuesve lidhur me iniciativën për përcaktimin e përgjegjësisë së kryetares së Gjykatës supreme, Besa Ademi.

Kryetarja e Këshillit gjyqësor Vesna Dameva tha se pret që në seancën e sotme lidhur me raportin e Komisionit të merret vendim i drejtë.

Dameva konfirmoi se raporti i Komisionit të raportuesve është gati dhe se do të debatohet si pika e shtatë e rendit të ditës me titull "Debat për raportin për gjendjen e konstatuar".

"Bëhet fjalë për raportin në të cilin Komisioni, duke i paraqitur të gjitha provat në bazë të debatit publik, e konstaton këtë në dokument, por dua të përmend se sipas Ligjit për Këshillin Gjyqësor të miratuar në vitin 2019, Komisioni nuk i jep propozim Këshillit për sa i përket mendimit personal. Ajo vetëm konstaton gjendjen faktike në bazë të dëshmive të paraqitura, bazuar në diskutim. Mbetet që Këshilli të mërkurën të diskutojë dhe të vendosë, në bazë të kësaj, nëse është bërë shkelje dhe nëse po, çfarë shkelje është dhe cili do të jetë vendimi përfundimtar, do të presim për këtë", sqaroi Dameva.

Ajo theksoi se diskutimi i sotëm do të jetë i hapur për publikun dhe në seancë të gjithë anëtarët e Këshillit mund të shprehin mendimin e tyre për raportin e Komisionit, pas së cilës duhet të merret vendim.

Ajo thekson se ka shprehur qëndrim personal lidhur me këtë çështje, ndërsa për kolegët e saj tha se as për këtë rast e as për ndonjë tjetër nuk ka mundur të supozojë se kush si do të votojë, por shpreson që kolegët e saj të kenë parasysh gjendjen e përgjithshme faktike dhe në bazë të provave do të marrin vendim të drejtë.

Lidhur me mosparaqitjen disamujore të kryetares së Gjykatës supreme, Besa Ademi në seancat e Këshillit gjyqësor, Dameva tha se duhet të kërkohet përgjigje nga ajo personalisht, por nëse pyetet si kryetare e Këshillit gjyqësor, ajo shprehet e kënaqur me prezencën e Ademit, sepse kryetari i Gjykatës supreme mund të jetë ndihmues në punën e Këshillit gjyqësor.

Kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi u përfshi në punën e Këshillit gjyqësor me praninë dhe pjesëmarrjen e saj në seancën e 472-të të mbajtur më 11 janar. Kjo pasoi pas seancës publike që u mbajt në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, kur Këshilli gjyqësor mbajti seancë për iniciativën e dorëzuar nga anëtari i Këshillit, Milazim Mustafa për të përcaktuar përgjegjësinë e Ademit.

Në seancë, Mustafa kërkoi vendim që do të përcaktonte përgjegjësinë dhe shkarkimin e saj. Nga ana tjetër, mbrojtja e kryetares së Gjykatës supreme i vlerësoi pretendimet si të pabaza dhe kërkoi vendim në të cilën vendimi ndërpritet.

Këshilli gjyqësor i Republikës së Maqedonisë së Veriut është organ autonom dhe i pavarur që siguron dhe garanton autonominë dhe pavarësinë e pushtetit gjyqësor, përmes realizimit të funksioneve të tij konform me Kushtetutën dhe ligjet. Këshilli përbëhet nga 15 anëtarë që për nga funksioni anëtarë të saj janë kryetari i Gjykatës supreme të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ministri i Drejtësisë. Sipas Ligjit për Këshillin gjyqësor, anëtarët e Këshillit sipas funksionit marrin pjesë në punën e Këshillit pa të drejtë vote, por nuk marrin pjesë në punimet e seancave të Këshillit në të cilat diskutohet dhe merren vendime për procedurën e filluar për përcaktimin e përgjegjësisë, zgjedhjen ose shkarkimin e gjyqtarit ose kryetarit të gjykatës. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR