• e enjte, 26 dhjetor 2024

Këshilli ekzekutiv i LSDM-së: Kovaçevski autorizohet për të biseduar me partitë për qeveri teknike, Mitreski kandidat për kryetar të Kuvendit

Këshilli ekzekutiv i LSDM-së: Kovaçevski autorizohet për të biseduar me partitë për qeveri teknike, Mitreski kandidat për kryetar të Kuvendit

Shkup, 10 dhjetor 2023 (MIA) - Këshilli ekzekutiv i LSDM-së sonte me aklamacion e zgjodhi Jovan Mitreskin kandidat për kryetar të Kuvendit, ndërsa kryetari i partisë dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski ka marrë autorizim për bisedime përgatitore dhe konsultime me partitë parlamentare për qeveri teknike. Sekretari i përgjithshëm i LSDM-së, Mile Zeçeviq do të jetë shef i Shtabit qendror zgjedhor të LSDM-së.

"Këshilli ekzekutiv i LSDM-së e konfirmoi propozimin e kryetarit Kovaçevski dhe kandidat për kryetar të ri të Kuvendit me aklamacion zgjodhi Jovan Mitreskin, koordinator i deritashëm i grupit parlamentar të LSDM-së. Mitreski është deputet shumëvjeçar, me përvojë të madhe, i hapur, i sinqertë dhe i përkushtuar ndaj interesave të qytetarëve dhe shtetit, njëherësh i dëshmuar për gjithë angazhimin e tij të deritashëm në Kuvend. Jemi të sigurt se Mitreski do ta kryejë detyrën në nivelin më të lartë dhe në interes të qytetarëve", deklaroi zëdhënësi i partisë, Darko Kaevski.

Kryetari i LSDM-së Kovaçevski, siç tha Kaevski, ka marrë autorizim për bisedime përgatitore dhe konsultime me partitë parlamentare për qeveri teknike, që është obligim ligjor.

"LSDM-ja është e gatshme dhe në zgjedhje shkon për fitore të dyfishtë. LSDM-ja do ta japë kandidatin fitues për president dhe do ta formojë qeverinë e ardhshme proevropiane", ka thënë Kaevski.

Këshilli ekzekutiv e angazhoi madje Sekretarin e përgjithshëm Zeçeviq që të përgatisë plan për procedurën, metodën dhe kriteret për zgjedhjen e kandidatit për president në zgjedhjet presidenciale konform statutit të partisë.

Kaevski theksoi se në periudhën e ardhshme pritet që këto vendime të konfirmohen në mbledhjen e Këshillit qendror të partisë që do të mbahet deri në fund të këtij muaji.

Para mbledhjes së Këshillit ekzekutiv, deklaratë për media dha edhe kryeministri dhe kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.

QËNDRONI TË LIDHUR