• e enjte, 26 dhjetor 2024

Kërcim prej 19 vendesh për lirinë e mediave në Maqedoninë e Veriut

Kërcim prej 19 vendesh për lirinë e mediave në Maqedoninë e Veriut

Shkup, 3 maj 2023 (MIA) - Maqedonia e Veriut është në vendin e 38-të nga gjithsej 180 shtete në botë sipas Indeksit Global të Lirisë së mediave të "Reporterëve pa kufij". Vendi shënon një kërcim prej 19 vendesh në krahasim me vitin 2022 dhe është pozicionuar më së miri në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përpara Malit të Zi (39), Kroacisë (42), Kosovës (56), Bosnjë e Hercegovinës (64) dhe Serbisë (91) dhe Shqipërisë (96).

“Reporterët pa kufij” në raportin për Maqedoninë e Veriut, theksojnë se edhe pse gazetarët nuk punojnë në një mjedis armiqësor, keqinformimi i përhapur dhe mungesa e profesionalizmit kontribuojnë në rënien e besimit të shoqërisë në media, e cila i ekspozon mediat e pavarura ndaj kërcënimeve dhe sulmeve. Vazhdon edhe tendenca që zyrtarët e qeverisë të kenë qëndrime të këqija dhe poshtëruese ndaj gazetarëve.

Peizazhi mediatik

Megjithëse televizioni është burim dominues i informacioneve, mediat onlajn luajnë një rol të rëndësishëm. Megjithatë, duhet bërë një dallim midis redaksive onlajn profesionale të cilat punësojnë gazetarë profesionitsë dhe publikojnë përmbajtje origjinale dhe portaleve individuale të cilët kryejnë plagjiaturë dhe kopjojnë përmbajtjen e njerëzve të tjerë. Ekziston gjithashtu një hendek i madh midis shikueshmërisë dhe besimit: TV stacionet më të ndjekura kanë një indeks të ulët besueshmërie.

Konteksti politik

Mjedisi i përgjithshëm mbetet i favorshëm për lirinë e mediave dhe lejon raportim kritik, megjithëse transparenca e institucioneve është mjaft e dobët. Për shkak të polarizimit të fortë politik, media mund t'i nënshtrohet presionit nga pushteti, politikanët dhe biznesmenët. Dy partitë më të mëdha (në pushtet dhe në opozitë) kanë krijuar sisteme mediatike paralele mbi të cilat ushtrojnë ndikimin e tyre politik dhe ekonomik. Shërbimi i transmetimit publik nuk ka pavarësi editoriale dhe financiare.

Korniza ligjore

Përderisa Kushtetuta garanton lirinë e fjalës dhe ndalon censurën, vendi mbetet prapa në harmonizimin e legjislacionit të medias me standardet e Bashkimit Evropian, të cilit synon t'i bashkohet. Abuzimi gjyqësor i Ligjit për përgjegjësi civile për shpifje inkurajon autocensurën në media. Paditë përdoren si një mjet për të frikësuar dhe presion mbi mediat e pavarura. Një projekt-ligj për të riautorizuar qeverinë për të reklamuar në media private ka ngritur shqetësime për ndikimin e mundshëm politik.

Konteksti ekonomike

Edhe pse disa lloje të përqendrimit mediatik janë të ndaluara me ligj, redaksia e disa prej kanaleve kryesore televizive janë të ekspozuara ndaj presioneve ekonomike nga pronarët e tyre. Financimi shtetëror është i kufizuar dhe jo transparent dhe media e pavarur mbështetet shumë te donatorët. Grantet e huaja të bazuara në projekte kontribuojnë vetëm për mbijetesën, por jo për zhvillimin e mëtejshëm. Ekziston një tregti e ndikimit midis agjencive të marketingut dhe shtëpive të caktuara mediatike.

Konteksti sociokulturor

Megjithëse nuk ka kufizime të qarta në mjedisin social dhe kulturor që ndikojnë në gazetarinë e lirë, rrjetet sociale dhe sfera digjitale në përgjithësi favorizojnë përhapjen e dezinformatave dhe kërcënimeve kibernetike. Të kombinuara me standarde të ulëta profesionale, ato kontribuojnë në rënien e besimit të publikut në media dhe hapin rrugën për sulme ndaj gazetarëve bazuar në kritere gjinore, etnike ose fetare.

Siguria

Gazetarët janë rregullisht objektiv i sulmeve verbale. Me pretekstin e mbrojtjes së sekreteve shtetërore dhe të të dhënave personale, ata mund të ekspozohen ndaj presionit ligjor dhe ndjekjes penale abuzive (procedurat e zvarritjes ose SLAPP). Megjithatë, gjykatat priren të mbështesin lirinë e shtypit dhe të mbrojnë gazetarët. Është caktuar një prokuror special për të trajtuar rastet e sulmeve ndaj gazetarëve, ndërsa po shqyrtohet hapja e zyrave të ngjashme në të gjithë vendin.

Mediat më të lira në vendet nordike

Në përgjithësi, vendet nordike renditen më së miri - Norvegjia, Danimarka, Suedia, Irlanda, Finlanda, ndërsa vendet aziatike renditen më keq - Turkmenistani, Irani, Vietnami, Kina dhe Koreja e Veriut. Sipas raportit mbi Indeksin Global të Lirisë së Medias, i cili vlerëson mjedisin në të cilin punojnë gazetarët në 180 vende dhe territore, ndërsa i cili u publikua në Ditën Botërore të Lirisë së mediave, situata është "shumë e keqe" në 31 vende, "e keqe" në 42, "problematike" në 55, "mirë" ose "mjaftueshëm mirë" në 52 vende. Me fjalë të tjera, mjedisi në të cilin punojnë gazetarët është i keq për shtatë nga 10 vende, ndërsa i kënaqshëm për një në tre vende, theksohet në raportin e "Reporterëve pa kufij".

Në raportin vjetor theksohet se gazetaria në vitin 2023 kërcënohet nga industria e përmbajtjes së rreme dhe se përmbajtja e rreme ka një ndikim të fortë në media. Në rreth 118 vende, të anketuarit deklaruan se aktorët politikë janë të përfshirë sistematikisht në dezinformim masiv ose në fushata propagandistike. Zhvillimi i madh i inteligjencës artificiale po shkakton probleme edhe në botën mediatike. ls/

Foto: Printskrin/ MIA arkiv

 

QËNDRONI TË LIDHUR