• e enjte, 26 dhjetor 2024

Jovev: Jam i sigurt se ministri do ta korrigjojë gabimin, vendi im është në Kardiokirurgji

Jovev: Jam i sigurt se ministri do ta korrigjojë gabimin, vendi im është në Kardiokirurgji

Shkup, 7 qershor 2023 (MIA) - Profesor dr. Sashko Jovev në lidhje me ofertën e ministrit të Shëndetësisë Fatmir Mexhiti, i cili sot e bëri thirrje që të jetë këshilltar i tij nacional për kardiokirurgji, pasi që dje e shkarkoi nga puna, siç pretendoi për shkak të mos punuarit dhe parregullsive, tha se ky është nder i madh, por vendi i tij është në Klinikën e Kardiokirurgjisë.

Jovev, i cili dje u shkarkua nga pozita e drejtorit të Klinikës Universitare për Kardiokirurgji Shtetërore, theksoi se ministri nuk i është drejtuar personalisht për ofertën e sotme, por ka theksuar se e sheh veten në Klinikë, së bashku me ekipin e tij, me të cilin do të arrijnë suksese edhe më të mëdha.

"Mendoj se vendi im është në Klinikën e Kardiokirurgjisë, për të udhëhequr ekipin tim dhe të arrijmë shumë suksese së bashku, theksoi Jovev, i cili deklaratën e sotme e bëri në prani të Prof. Dr. Goran Dimitrovski, kryetar i Shoqatës së Mjekëve të Maqedonisë.

Jovev tha se do të vazhdojë luftën, sepse është i sigurt se ministri do ta korrigjojë këtë gabim.

Dimitrovski, nga ana tjetër, në emër të gjithë Shoqatës shprehu pakënaqësinë e tij për vendimin e Ministrisë për shkarkimin e Dr. Jovev.

"Shkarkimi i profesor dr. Sashko Jovev nga pozita e drejtorit të Kardiokirurgjisë këto ditë po bën bujë në opinion dhe në fushën mjekësore, para së gjithash sepse arsyetimin e MSH-së për këtë procedurë e konsiderojmë të paargumentuar dhe të mjegullt. Për një mjek, i cili për herë të parë ka kryer transplant zemre në Maqedoni dhe deri më tani, së bashku me ekipin e tij, të cilin e ka formuar në nivel profesional botëror, ka kryer edhe transplante të tjera të zemrës, si dhe ndërhyrje që kanë shpëtuar shumë jetë nga sëmundje të tjera të zemrës tek pacientët, ky vendim është vërtet i pakuptueshëm. Shoqata e mjekëve të Maqedonisë është kundër këtij vendimi të Ministrisë së Shëndetësisë për shkarkimin e Jovevit dhe deklarata e ministrit të Shëndetësisë se nuk ka nevojë për drejtorë që gjashtë muaj nuk kanë dhënë rezultate është e pabazuar", tha Dimitrovski.

Ai theksoi se ky vendim është një mesazh i keq për mjekët e rinj, sepse po shkarkohet dikush që arrin rezultate në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

"Besojmë se vendimi i Ministrisë për shkarkimin e profesor Jovevit edhe më tutje do të tërhiqet dhe se sistemi shëndetësor i Maqedonisë dhe institucionet e sistemit do të dinë t'i ruajnë, respektojnë dhe shpërblejnë mjekët e tillë të lartë, ekspert në vend që t'i ndëshkojnë", theksoi Dimitrovski. ls/

 

QËNDRONI TË LIDHUR