• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Jovanoviq: Deri në fund të këtij viti një e katërta e popullatës në shtet do të jetë e varfër

Jovanoviq: Deri në fund të këtij viti një e katërta e popullatës në shtet do të jetë e varfër

Shkup, 12 tetor 2023 (MIA) - Deri në fund të vitit 2023 ne do të kemi gjithsej 510.000 qytetarë që janë në varfëri mesatare. Këtu bëjnë pjesë të gjithë ata që kanë më pak se 200 denarë në ditë, që nënkupton më shumë se një e katërta do të kenë vetëm për të mbijetuar, theksoi hulumtuesi ekonomik prof.dr. Branimir Jovanoviq në panel diskutimin në temën "Jetë dinjitoze apo mbijetesë?".

Jovanoviq sot, në diskutimin e organizuar nga Platforma Kundër Varfërisë në Maqedoni, në kuadër të shënimit të ditës ndërkombëtare për çrrënjosjen e varfërisë, 17 tetori, porosia e së cilës këtë vit është "Punë e denjë dhe mbrojtje sociale:dinjitet në praktikë, për të gjithë!", i prezantoi gjetjet nga studimi "Ndikimi i inflacionit ndaj varfërisë në Maqedoninë e Veriut", të bërë bashkë me Asociacionin për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Gjithpërfshirës, dhe i cila mat dhe vlerëson për sa do të rritet varfëria në shtet si pasojë e shtrejtimit, gjegjësisht në vitin 2023 në krahasim me vitin 2021.

Në analizë është bërë vlerësim për dy lloje të varfërisë - ekstreme dhe mesatare. Në varfëri ekstreme bëjnë pjesë ata të cilët jetojnë me më pak se 60 denarë në ditë, ndërsa në varfëri mesatare bëjnë pjesë njerëzit që jetojnë me më pak se 200 denarë në ditë. 

"Rezultatet e analizës tregojnë se varfëria ekstreme, si pasojë e kësaj krize, do të rritet nga 12.000 deri në 28.000 persona, që është nga 20 deri në 50 për qind rritje në krahasim me situatën e mëparshme, sepse para krizës shteti kishte rreth 56.000 njerëz që jetojnë në varfëri ekstreme", theksoi Jovanoviç.

Ai theksoi se në varfëri mesatare numrat janë edhe më të mëdhenj, gjegjësisht ajo do të rritet ndërmjet 80.000 dhe 160.000 persona. 

"Para krizës ai numër ishte rreth 360.000 njerëz, tani sipas të dhënave më të reja mund të arrijë deri  510.000", tha ai.

Rekomandimet e tij janë që shteti t'i ngrijë çmimet dhe t'i mbajë të fiksuara një periudhë të gjatë kohore, që të parandalohet rritja e çmimeve dhe të vihet nën kontroll inflacioni dhe paralelisht me këtë të rriten të gjitha të ardhurat e njerëzve. 

"Me këtë nuk do të ulet ai numër. Numri i të varfërve do të rritet në mënyrë drastike, por të paktën pak të zbutet", porositi Jovanoviq.

Në panel diskutim ishte i pranishëm edhe nënkryetari i Këshillit të LSM-së, Ivan Peshevski, i cili theksoi se ajo që është evidente me vite është se pagat statistikisht po rriten, por me këtë po rritet edhe varfëria, pasi gjithnjë e më shumë qytetarët po humbasin fuqinë blerëse.

"Thirrja ime është që tu kthehen paratë punëtorëve nëse duam që të mos ketë më varfëri në shtet, gjegjësisht nuk kërkojmë ulje 78 për qind të pagës së funskionarëve, por për aq për qind të rritet edhe paga e punëtorëve", theksoi Peshevski.

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, theksoi se me varfërinë nuk përballemi vetëm ne, por edhe vendet e tjera të botës.

"Sot është e qartë se nëse gjatë tre viteve të fundit të krizës, pas Kovid-it, kriza energjetike dhe ekonomike, Qeveria nuk do të kishte zbatuar masat që kemi zbatuar për të mbrojtur standardet e grupeve me të rrezikuara dhe më pas ruajtjen e vendeve të punës, sot do të kishim një pamje më të keqe”, theksoi ai.

Zëvendëskryeministri shtoi se studime të tilla janë të mira për krijimin e politikave të bazuara në fakte dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.

“Unë them vazhdimisht se zgjidhjet sistematike janë të nevojshme për stabilitet dhe zhvillim të parashikueshëm, por në të njëjtën kohë ato mbrojnë më të rrezikuarit, të drejtat e të cilëve shkelen të parët dhe më lehtë në kohë krize apo trazirash politike. Ne sollëm zgjidhje të tilla sistemore, pra zbatimin e pagës minimale dhe metodologjinë e llogaritjes së pensioneve. Kjo kategori qytetarësh, si asnjëherë që nga pavarësia, tashmë është e mbrojtur pikërisht nga dukuri të tilla. Kjo Qeveri ka treguar se kujdeset njësoj për të gjithë dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha Bytyqi.

Panel diskutimin e hapi kryetarja e Platformës Kundër Varfërisë në Maqedoni e cila porositi "Përballja me varfërinë është vendim politik dhe çdonjëri prej neve është i rëndësishëm në atë luftë". fc/

Fotografia: Qeveria

 

QËNDRONI TË LIDHUR