Japonia ndau dy grante për shëndetësinë dhe mbrojtjen nga zjarret në vend
- – Në Ambasadën e Japonisë sot u nënshkruan dy marrëveshje të reja për grante në kuadër të programit GGP për projekte të vogla për sigurinë e njerëzve, me vlerë të përgjithshme prej 81.956 euro. Grantet janë të dedikuara për Klinikën Universitare të Endokrinologjisë – Shkup dhe për Komunën Sveti Nikollë.
- Post By Fitore Curri
- 11:29, 3 shkurt, 2026
Shkup, 3 shkurt 2026 (MIA) – Në Ambasadën e Japonisë sot u nënshkruan dy marrëveshje të reja për grante në kuadër të programit GGP për projekte të vogla për sigurinë e njerëzve, me vlerë të përgjithshme prej 81.956 euro. Grantet janë të dedikuara për Klinikën Universitare të Endokrinologjisë – Shkup dhe për Komunën Sveti Nikollë.
Ambasadorja e Japonisë, Secuko Kavahara, theksoi se projektet përfaqësojnë vazhdimësi të bashkëpunimit shumëvjeçar mes dy vendeve dhe kontribuojnë për fuqizimin e sistemeve themelore për siguri shëndetësore dhe publike.
“Me ceremoninë e sotme duam ta tregojmë gatishmërinë për fuqizim të mëtutjeshëm të miqësisë ndërmjet Japonisë dhe Maqedonisë së Veriut dhe mbështetjen tonë të vazhdueshme për proceset e reformave. Përmes programit GGP nga viti 1996 deri më tani mbështetëm 190 projekte në shëndetësi, arsim dhe mjedis jetësor”, tha Kavahara.
Granti i parë është i dedikuar për furnizim të sistemit të ri ultratingull për Klinikën e Endokrinologjisë. Drejtori i klinikës, dr. Irfan Ahmeti, theksoi se pajisja e re medicinale do të kontribuojë për përmirësim të diagnostikimit dhe trajtimit të pacientëve.

“Teknologjia e re do të mundësojë diagnostikë më të shpejtë dhe më të saktë, ndjekje më të mirë të sëmundjeve endokrinologjike dhe përshtatje më efikase të terapisë. Klinika për një vit kujdeset për 15.000 pacientë, ndërsa ky aparat dukshëm do t’i përmirësojë kushtet për punë”, deklaroi Ahmeti.
Granti i dytë ka të bëjë me Komunën Sveti Nikollë, për nevojat e Njësitit Territorial Zjarrfikës. Kryetari i komunës, Dejan Vlladev, e theksoi rëndësinë e donacionit për sigurinë publike.

“Dhurimi i automjetit zjarrfikës është kontribut i rëndësishëm në përmirësimin e sigurisë dhe mbrojtjes së qytetarëve. Ky automjet do të rrisë veçanërisht efikasitetin e shërbimit tonë në zonat rurale dhe me qasje të vështirë. Kjo është mbështetje që drejtpërdrejt do të thotë shpëtim i jetëve dhe të mirave materiale. Komuna e Sveti Nikollës e vlerëson shumë bashkëpunimin me Japoninë”, deklaroi Vlladev.
Ai shtoi se zjarrfikësit në komunë shpesh punojnë në kushte të komplikuara dhe se automjeti i ri dukshëm do ta rrisë gatishmërinë dhe kapacitetin e tyre operacional.
Ambasadorja Kavahara shprehu pritshmëri se dy projektet me sukses do të realizohen dhe do të kontribuojnë për përmirësimin e kushteve për jetë në bashkësitë lokale. fc/
Foto: MIA