• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Janevska: Pres që të gjitha shkollat të kenë ngrohje

Janevska: Pres që të gjitha shkollat të kenë ngrohje

Shkup, 15 tetor 2024 (MIA) – Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska pret që të gjitha shkollat të kenë ngrohje. Siç deklaroi sot, komunave u janë paguar bllok dotacione, kështu që tani kryetarët e komunave, por edhe shkollat dhe drejtorët e kanë radhën që të organizohen, që të mos ketë problem lidhur me sezonin e ngrohjes. 

Duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve lidhur me reagimin e djeshëm të kryetarit të Karposhit, Stevço Jakimovski i cili i bëri thirrje Qeverisë që ta paguajë borxhin e mbetur për ngrohje të shkollave fillore në këtë komunë, Janevska shfaqi bindje se “ai është shumë i aftë dhe do të gjejë mënyrë që t’i ngrohë shkollat”. 

“Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) jep bllok dotacione për komunat. Ne u kemi paguar bllok dotacionet komunave dhe nuk kemi çfarë të japim më shumë. Varet nga kryetarët e komunave, shkollat ​​dhe drejtorët se si do të organizohen për realizimin e sezonit të ngrohjes, kështu që kjo nuk është pyetje që duhet t'i bëhet MASH-it”, theksoi Janevska pas konferencës për media për rikonstruimin e konvikteve shtetërore të studentëve. 

Sipas saj, nëse Jakimovski ka kërkesa shtesë, “duhet të drejtohet aty ku duhet, ndërsa jo te MASH-i”.

“Pres që të gjitha shkollat të kenë ngrohje, sepse është e pamundur që të mësohet pa ngrohje. Besoj që kryetari i cili është shumë i aftë, do të gjejë mënyrën që t’i ngrohë shkollat”, është e vendosur ministrja. 

Jakimovski dje i bëri thirrje Qeverisë që t’i mbulojë shpenzimet për ngrohje të shkollave fillore komunale në vlerë prej 8,3 milionë denarë, sepse vetëqeverisja lokale, tha, nuk është e detyruar që ta bëjë këtë. Jakimovski theksoi se vitin e kaluar që fëmijët të mos mbesin pa ngrohje, Komuna ka ndarë gjashtë milionë denarë, sepse, gjithashtu, Qeveria nuk ka dashur që t’i paguajë faturat. fc/

Foto/video: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR