• e shtunë, 06 dhjetor 2025

Janevska: Ligji për shkollat fetare është kushtetues dhe me të nuk rrezikohet sekularizmi i shtetit

Janevska: Ligji për shkollat fetare është kushtetues dhe me të nuk rrezikohet sekularizmi i shtetit

Shkup, 5 gusht 2025 (MIA) – Me shumë kujdes e punuam ligjin për shkollat fetare gjegjësisht ligjin për kalim të nxënësve të shkollave fetare, deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska në lidhje me ligjin, e miratuar në Kuvend më 29 korrik, i cili u mundëson nxënësve të këtyre shkollave të japin maturën shtetërore dhe të regjistrohen në universitete si nxënësit nga llojet e tjera të arsimit – gjimnaz, profesional dhe artistik. 

Duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve sot në konferencë për media kushtuar rezultateve të maturës shtetërore, Janevska theksoi se janë konsultuar shumë me shtetet përreth – Bullgaria, Serbia, Shqipëria, Kroacia, Sllovenia si dhe nga Gjermania dhe Anglia dhe vende të BE-së. 

“Kemi parë që ato shtete e zgjidhin arsimin fetar në një mënyrë shumë të ngjashme midis tyre. Jemi përpjekur ta bëjmë kushtetues dhe, nëse e lexoni me kujdes ligjin, nuk ka ndërhyrje të shtetit në arsimin fetar, domethënë, ky ligj nuk shkel sekularizmin e shtetit. Megjithatë, që ai arsim, të sigurojë kalimin e nxënësve më tej në institucionet e arsimit të lartë, shteti po jep një propozim se si mund të bëhet. Nëse shkollat fetare dëshirojnë, ato do ta respektojnë ligjin dhe nxënësit do të jenë në gjendje të japin provimin e maturës shtetërore, gjë që do t'u lejonte atyre të vazhdonin në fakultete të tjera përveç atyre teologjike”, tha Janevska.

Shtoi se nëse shkollat nuk zgjedhin të punojnë sipas këtij ligji, “ata janë plotësisht të ndarë, do të kenë arsim fetar”. 

“Ne ishim shumë të kujdesshëm që të mos mbivendosnim kompetencat, thamë se si shtet do t'u ofronim atyre mundësinë me programe arsimore, Byroja do t'ua ofronte, me të cilat nxënësit mund të kalonin provimin e maturës shtetërore. Nëse i pranojnë, nxënësit do të jenë në gjendje të kalojnë provimin e maturës, nxënësit që nuk e kalojnë provimin e maturës shtetërore nuk do të jenë në gjendje të vazhdojnë arsimin e tyre në fakultete të tjera përveç fakulteteve teologjike. Ne jemi në përputhje me ligjet në vendet fqinje dhe besoj se ishte koha e duhur që ky problem të zgjidhej. Siç jam e informuar, në këtë problem është punuar për 12 vjet, patëm një zgjidhje të pafat, jokushtetuese që Gjykata Kushtetuese e anuloi. Deputetët e pranuan këtë ligj, e përmirësuan, për të cilën i falënderoj. Shpresoj se do të ketë një zbatim të suksesshëm të këtij ligji, i cili do të jetë i vlefshëm nga viti 2025-2026”, theksoi Janevska. fc/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR