• e shtunë, 24 gusht 2024

Janevska: Jemi të hapur për dialog me SASHK-un

Janevska: Jemi të hapur për dialog me SASHK-un

Shtip, 23 gusht 2024 (MIA) - Do të bisedojmë me të gjithë partnerët social dhe sigurisht se do të kërkojmë mënyrë që t'i motivojmë mësimdhënësit në të gjitha mënyrat e mundshme, tha Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e cila pas vizitës në Shtip u përgjigj në pyetjen se nga Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) thonë se sipas Ligjit të mësimdhënësve kanë të drejtë për rritje pagash 12 për qind, duke i lënë hapësirë ​​dialogut deri më 15 shtator.

"Ne jemi të hapur për bisedë dhe dialog. Unë edhe një herë them, duhet realisht ta përceptojmë mundësinë, e përsëris, të gjithë e dini se çfarë vendi të shkatërruar kemi trashëguar, jo vetëm në arsim. Ne tani duhet të parandalojmë rënien e lirë të shtetit, ta stabilizojmë atë, ta lëvizim atë në zero dhe nga këtu të fillojmë të ndërtojmë përpara. Me gjithë forcën time shpjegoj pse është e nevojshme, luftoj me zgjuarsi dhe do të luftoj, por mundësitë reale janë reale. Derisa të gjejmë një zgjidhje që nuk varet vetëm nga ministri i Arsimit dhe dëshirat tona, deri sa të hapet një mundësi, gjithçka do të merret në konsideratë", deklaroi Janevska. 

Ministrja theksoi se mësimdhënësit nuk janë të dëshpëruar vetëm për shkak të mjeteve me të cilat mbulohet puna e tyre, por, siç thotë ajo, ka shumë elementë të tjerë që i shqetësojnë dhe i bëjnë të pakënaqur, ndër të cilët janë respekti nga ana e prindërve, nxënësit, shoqëria etj.

Sa i përket mësimdhënësve nga matematika, kimia, biologjia, historia, gjuha maqedonase, ministrja Janevska tha se shteti do të sigurojë bursa për studentët që do të regjistrohen në këto fakultete dhe do t'i përdorë të gjitha mekanizmat për tërheqjen e këtij kuadri për të punuar në shkolla. Ajo theksoi se problemi është kompleks, pasi në disa komuna ka tepricë të mësimdhënësve, e në disa ka mungesë. Teprica e mësimdhënësve shfaqet për shkak të “murtajës së bardhë”, gjegjësisht emigrimit të të rinjve nga vendi, tha Janevska, duke theksuar se "kjo vërehet në uljen e numrit të nxënësve dhe të klasës së parë në vend”. Për këto arsye, tha ajo, vendoset edhe funksionimi me një ndrrim i shkollave. Sipas Janevskës, tashmë 142 shkolla në vend mundë të vendosin punën me një ndrrim. 

E pyetur për revizionin e punës së universiteteve në vend, Janevska u përgjigj se është filluar në disa universitete.

"Disa prej tyre më në fund iu afruan negociatave kolektive duke menduar se ne mund të tërhiqeshim. Jo, ne nuk tërhiqemi, pushimet kanë përfunduar dhe revizioni vazhdon. Janë formuar komisione në MASH të cilat gjithashtu do të paraqiten për të kontrolluar disa kushte dhe më në fund këtë vit pas ribalancimit, arritëm të ndajmë mjete për të bërë disa vlerësime në disa universitete, sepse më parë për një gjë të tillë nuk ka pasur fare fonde të parashikuara. Procesi vazhdon", tha Janevska. 

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës sot në Shtip realizoi takim me kryetarin e Komunës së Shtipit, Ivan Jordanov, dhe me rektorin e Universitetit "Goce Dellçev"-Shtip, Dejan Mirakovski. Në takim u bisedua për avancimin e arsimit të dyfishtë në shkollat ​​e mesme profesionale, por edhe për vendosjen e këtij lloj edukimi për studentët në universitetet e vendit. qa/

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR