• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Izet Mexhiti: Për rastin "Alfa" fjalën kryesore e ka gjykata, ndërsa Grubi ka abuzuar për të mbledhur vota

Izet Mexhiti: Për rastin

Gostivar, 20 dhjetor 2024 (MIA) - Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti, në pyetjen e gazetarëve rreth rastit "Alfa" dhe thirrjen nga Agim Islami se ka frikë nga Hristijan Mickoski dhe nuk ka reaguar në lidhje me refuzimin e rigjykimit të rastit "Alfa", tha se në këtë rast ka pasur parregullsi, disa persona kanë pasur dobi, me ç'rast e kanë keqpërdorur për zgjedhjet, ndërsa zgjidhja do të shkojë përmes institucioneve.

"Ne nuk jemi si të tjerët, që abuzuan me rastin dhe nuk lëvizën asnjë milimetër dhe prej kësaj të bëjmë temë. Ne e bëjmë punën tonë. Fjalën kryesore e ka gjyqësori, në këtë rast Prokuroria. Jemi të bindur se në atë rast ka parregullsi dhe punojmë, por jo përmes mediave, punojmë aty ku duhet", tha Mexhiti.

Në komentin se kanë marrë vota për rastin "Alfa", e tani po i shmangen temës, zëvendëskryeministri u përgjigj "ai që ka marrë vota për rastin Alfa është z. Grubi, dhe ju këtë e dini mirë, por ne nuk jemi si Grubi dhe të tjerët që abuzuan me rastin".

Rasti “Alfa” është i njohur për ngjarjen e ndodhur më 26 nëntor të vitit 2008, në parkingun e Fakultetit të Shkencave Matematiko-Natyror në Shkup. Atëherë me armë automatike u vra polici i njësisë Alfa, 38 vjeçari Afrim Arifi, ndërsa u plagosën edhe dy kolegët e tij. Në prill të vitit 2010, për këtë vrasje me burgim të përjetshëm janë dënuar Rexhail Qerimi nga fshati Opajë i Kumanovës dhe Agim Islami nga Shkupi. Gjatë procesit gjyqësor, mbrojtja është paraqitur me ekspertizë, me të cilën pohon se Islami nuk ishte në vendin e ngjarjes. Për sulmin si organizator kryesor është dënuar Almir Dërpnjanin, i cili në arrati u dënua me burg të përjetshëm, por pas arrestimit në Kosovë dhe ekstradimit në Shkup, në rigjykim të ri u dënua me 20 vjet burg. rq/bsh/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR