• e enjte, 26 dhjetor 2024

Izet Mexhiti: Ndryshime – më mirë me dëshirë se sa me imponim. Por ndryshime patjetër!

Izet Mexhiti: Ndryshime – më mirë me dëshirë se sa me imponim. Por ndryshime patjetër!

7 janar 2024

Fjalimi integral i kryetarit të Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti me rastin e fillim-vitit

Fillim-viti vjen me qartësim që lehtë mund të vërehet. Para nesh vijon viti i zgjedhjeve, si ato në vend ashtu dhe ato në Bashkimin Evropian dhe në SHBA. Për dallim nga zgjedhjet tek partnerët tanë strategjik, në të cilat nuk mund të ndikojmë dhe aq me pak të vendosim, në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut ndikimi dhe vendimi është në duart tona dhe mbi vetëdijen tonë.

Për dallim nga ciklet e mëparshme elektorale, në këto zgjedhje do të vendosim më pak për përfaqësuesit legjislativ dhe ekzekutiv, por më shumë për ardhmërinë tonë të përbashkët si shoqëri dhe si individ. Në fakt, në këto zgjedhje krahas votimit të përfaqësuesve, me votat tona do të ballafaqohemi me vendimmarrjen më të rëndë, me më shumë peshë dhe përgjegjësi. Kjo zgjedhje esenciale është qëndrimi ynë rreth ndryshimeve të nevojshme, jetike, ekzistenciale.

Porositë e fundit nga bashkësia ndërkombëtare në përgjithësi dhe nga Ambasadorja Ageler në veçanti, qartazi konfirmojnë dhe alarmojnë për situatën emergjente në të cilën gjendemi. Definimi i kësaj gjendjeje si “epidemi korrupsioni” është apel miqësor për vetëdijesim për rreziqet që na kërcënohen dhe para të cilave më nuk e kemi luksin të sillemi me komoditet sikur deri më tani. Epidemia nënkupton karantinë për gjithë ata që bartin virusin e korrupsionit, kërkon intervenime urgjente sanitare për parandalim të përhapjes, shtron nevojën për vaksinim të përgjithshëm me guximin për të luftuar këtë epidemi. Dhe mbi të gjitha, kërkon nivel më të lartë koshience shoqërore dhe individuale për përgjegjësitë që kemi si pjesëtarë të organizmit shoqëror.

Tanimë është më se e qartë se pas shumë vitesh e dekadash ikje, fshehje, shtyrje dhe eskivime të ndryshimeve thelbësore, rrënjësore dhe gjithmbarshme, si qytetar dhe si shtet nuk mund të injorojmë, të aktrojmë verbëri dhe refuzojmë të kuptojmë porositë tanimë dramatikisht alarmante si nga qytetarët e dëshpëruar ashtu dhe nga përfaqësuesit e partnerëve tanë strategjikë në SHBA dhe BE. Të gjithë neve na presin ndryshime dhe ky është fakt i pamohueshëm. Ajo që ne do duhet të përzgjedhim është nëse do t’ju qasemi këtyre ndryshimeve me vullnet shoqëror dhe individual apo do na imponohen ndryshime pavarësisht si nevojë e kohës, rrethanave dhe interesave kombëtare dhe strategjike.

Jo vetëm si udhëheqës i Lëvizjes Demokratike, jo si pjesë e Lidhjes Europiane për Ndryshim, por njëkohësisht si qytetar i këtij vendi dhe si shqiptar, preferoj, rekomandoj dhe ftoj të gjithë që të pranojmë opsionin e parë dhe të akordojmë vullnetin tonë për ndryshime me votën tonë. Populli thotë se atë që e ka patjetër për t’a bërë, nuk mund të jetë tepër e vështirë.  Aq më shumë nëse nga kjo detyrë e pabërë deri më sot, tani varet mirëqenia jonë dhe mbi të gjitha ekzistenca e pasardhësve tanë. Populli, shoqëria, individë që në mënyrë vullnetare pranojnë të bëjnë ndryshime dhe të ndryshojnë gjendjen, e bëjnë këtë për të ruajtur dinjitetin, etikën dhe ardhmërinë e vet. Ne nuk duhet, ne nuk mundemi dhe ne nuk guxojmë të lejojmë që detyrat tona t’i kryejnë të tjerët, që miqtë tanë të brengosen dhe përkujdesen për ne më shumë se ne që tregojmë kujdes për veten. Ndryshimi është nevoja të cilën ne e kemi krijuar, të cilën ne e kemi imponuar dhe rrjedhimisht ne duhet ta zgjedhim rrugën e ndryshimeve për të mirën tonë.

Këto ndryshime nuk prekin dhe as që duhet lejuar të prekin interesat kapitale të vendit, të qytetarëve, të shqiptarëve dhe të partnerëve tanë ndërkombëtarë. Në fakt, ndryshimet duhet vetëm të përforcojnë orientimin tani euro-atlantik përmes forcimit të institucioneve, të thellojnë besimin mes administratës së re dhe të reformuar konform zotimeve partnere dhe obligimeve ndërkombëtare, të zgjerojmë bashkëpunimin jo vetëm në pro-forma ligjvënie por në realizim adekuat dhe pranim të frymës së bashkëpunimit në të gjitha nivelet.

Këto ndryshime nuk duhet të cenojnë, por të thellojnë projektet strategjike si Bechtel Enka duke forcuar besimin e qytetarëve përmes largimit të njollave që thellojnë dyshimet e aktorëve vendor në korrupsion. Projekti i korridoreve duhet të evoluon në gjitha dimensionet dhe kahjet, ashtu që të plotësohen planet strategjike të partnerëve dhe të begatohen resurset tona ekonomike, oferta jonë infrastrukturore dhe të hapen mundësi punësimi për qytetarët tanë. Qasja jonë ndaj ndryshimeve duhet të diktohet nga vullneti ynë për politika të Derës së Hapur dhe të etikës së Duarve të Pastra, si pikënisje për ndryshimin e cilësisë së jetës sonë dhe si ofertë tërheqëse për investitorët e huaj.

Ne mund të votojmë si të duam, për kë të duam, por nuk e kemi më komoditetin që të ikim nga përgjegjësia për gjendjet që krijojmë falë votës së dhënë. Ndjej nevojë të shpreh keqardhje që pas aq shumë apelesh, vërejtjesh, alarmesh të dhëna nga Ambasadorja Ageler, ashtu si dhe nga përfaqësuesit e BE, të Holandës, të Gjermanisë, Francës për nevojën urgjente për ndryshime dhe reforma, partitë qeverisëse jo vetëm që nuk prononcohen si aktorë që pranojnë porositë e dhëna, por aq me keq përdorin këto apele miqësore duke i interpretuar si përkrahje për vazhdimësi të status-kuos në të cilën gjendemi. Është për keqardhje që Qeveria LSDM - BDI nuk gjen guximin dhe nuk demonstron pjekurinë që në mënyrë të saktë dhe të sinqertë të kuptojë vërejtjet se rruga jonë integruese nuk cenohet vetëm nga vendimet politike për ndryshime kushtetuese, por aq më shume për faj të mungesës së luftës kundër krimit, korrupsionit, keqqeverisjes etj. Është dëshpëruese që Qeveria kërkon sakrificë nga qytetarët, nga opozita shqiptare – të cilët shprehin gatishmëri për sakrificë – ndërkohë që vet partitë qeverisëse dhe liderët e koalicionit qeverisës në asnjë mënyrë, me asnjë gjest, me asnjë veprim nuk demonstrojnë as minimumin e gatishmërisë për vet-sakrificë në emër të çështjeve madhore dhe nevojave urgjente e dramatike për ndryshime.

Në përfundim, sërish potencoj se koha e votës zgjedhore sipas formave tradicionale të vendosjes nuk mund të konsiderohet më vetëm si ritual ciklik i automatizuar. Epoka e vendimeve të lehta tanimë ka skaduar dhe tani vijon periudha në të cilën fjalët duhet percjellur me vepra dëshmuese që vërtetojnë sinqeritetin. Koha për ndryshime tani troket në portat tona. Mbetet mbi ne të vendosim nëse do i pranojmë me duar hapur, me vullnet për t’i implementuar dhe dëshirë për të ndryshuar veten, ose do të vazhdojmë të fundosemi në baltën e vetëmashtrimit sikur deri më tani. Lëvizja lëviz drejt ndryshimit, vullnetarisht dhe gati për ndryshime radikale. Jo për hatër tonin, por për të mirën e Juaj, të mirën tonë, ardhmërinë tënde dhe familjes suaj.

__________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

QËNDRONI TË LIDHUR