• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Ivanovska: Nga anëtarët e rinj të KSHPK-së pres që të ndërtojnë fortifikatë të fuqishme nga ndikimet politike

Ivanovska: Nga anëtarët e rinj të KSHPK-së pres që të ndërtojnë fortifikatë të fuqishme nga ndikimet politike

Shkup, 6 dhjetor 2023 (MIA) - Kryetarja e Komisionit për Antikorrupsion, Biljana Ivanovska dëshiron që anëtarët e rinj të Komisionit të jenë më të mirë dhe më të sukseshëm dhe me integritetin e tyre të ndërtojnë "fortifikatë të fuqishme" nga ndikimet politike. Ivanovska është e qëndrimit se gjatë zgjedhjes së përbërjes së re, nëse ekziston mospërputhje në Komisionin për Përzgjedhje, të shfrytëzohet mundësia që të dëgjohen intervistat.

"Vendi ynë u lavdërua kur në vitin 2019 u miratua ligji i ri dhe mënyra e re e përzgjedhjes së Komisionit. Kjo nënkupton mënyrë transparente, duke zhvilluar intervista që më pas transmetohen publikisht. Unë mendoj se kjo mënyrë duhet ta kishte kaluar provimin tani. Kjo do të thotë që nëse ka mosmarrëveshje në Komisionin për Përzgjedhje, të shfrytëzohet mundësia  për të dëgjuar intervistat dhe për të parë argumentet aty për aty. Të gjithë të shprehin argumentin e tyre edhe një herë", tha Ivanovska sonte në një paraqitje televizive në "Top Tema" në televizionin Telma.

Ajo dëshiron që anëtarët e rinj të KSHPK-së ta fuqizojnë vlerësimin pozitiv nga Bashkimi Evropian. 

"Dëshiroj që të jenë më të mirë se ne, të forcojnë vlerësimin pozitiv që marrim prej pesë vitesh nga Komisioni Evropian. Dhe në këtë raport tashmë është treguar se besimi i qytetarëve është dyfish më i madh se një vit më parë, për të vazhduar rrugën tonë dhe për të qenë edhe më të suksesshëm, ndërsa me integritetin e tyre të ndërtojnë një 'fortifikatë të fuqishme' ndaj ndikimeve politike, sepse problemi numër një në shtet është ndikimi i fuqishëm politik", tha Ivanovska.

Në pyetjen se ku do të vazhdojë pas përfundimit të mandatit në KSHPK, Ivanovska u përgjigj se do të kthehet në institucionin prej ku ka ardhur, e ai është Organi për Revizion të Fondeve IPA.

Komisioni kuvendor për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve më 1 dhjetor e përcaktoi listën për përbërjen e re të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. 

Për kryetare është propozuar Tatjana Dimitrovska, ekonomiste e diplomuar nga Shkupi dhe e punësuar në Entit Shtetëror për Revizion (ESHR), e cila ka marrë 76 pikë nga anëtarët e Komisionit për Përzgjedhje. Për anëtarë të KSHPK-së u propozuan gjykatësja në Gjykatën Themelore, Sofia Spasova Medarska me 75,86, dy këshilltarët e mëparshëm në KSHPK-së, Biljana Karakashova Shulev me 74,28 dhe Besnik Xhemaili me 74,14 pikë, revizorët Zoran Bogoevski me 73,57, Cveta Ristovska 70, 57 dhe Demiri Servet me 67,28 pikë.

Komisioni i ri duhet të fillojë të funksionojë më 8 shkurt. 

Për kryetar dhe anëtarë të KSHPK-së, ishin paraqitur 41 kandidatë të cilët më 23, 24 dhe 25 nëntor ishin intervistuar nga Komisioni për Përzgjedhje. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR