• e diel, 24 nëntor 2024

Ivanova - Covilis: Të intensifikohet bashkëpunimi me APKE-në dhe me Rrjetin e Qendrës evropiane për hulumtime parlamentare

Ivanova - Covilis: Të intensifikohet bashkëpunimi me APKE-në dhe me Rrjetin e Qendrës evropiane për hulumtime parlamentare

Shkup, 20 tetor 2023 (MIA) - Në kuadër të Konferencës për Dialogun Ndërparlamentar për Avancimin e Mëtejmë të Integrimit Evropian të Ballkanit Perëndimor, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut u mbajt takimi ndërmjet Sekretares së Përgjithshme të Kuvendit, Cvetanka Ivanova dhe Sekretares së Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Despina Haxhivasiliu-Covilis.

Në takim, siç kumtoi shërbimi i Kuvendit për shtyp, u diskutua për aktivitetet e Kuvendit për forcimin e demokracisë parlamentare.

Sekretarja e Përgjithshme Ivanova tha se Kuvendi në gjashtë vitet e fundit ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për demokratizimin e mjeteve demokratike, si dhe ndërtimin e kapaciteteve dhe resurseve, me qëllim që vendi të bëhet demokraci moderne parlamentare.

Duke folur për Kuvendin funksional, Ivanova theksoi se udhëheqësia aktuale ka mundësuar shërbim funksional dhe të pavarur të Kuvendit dhe se për momentin po punohet për pavarësinë e sigurimit të Kuvendit. Ajo theksoi se në Kuvend në periudhën e kaluar është zbatuar procesi i digjitalizimit dhe se pritet të fillojë me punë Kanali i ri i Kuvendit, i cili do ta afrojë punën e Dhomës Ligjvënëse me qytetarët.

“Kuvendi po punon edhe për përmirësimin e procedurave të Kuvendit. Pritet miratimi i Rregullores së re të Kuvendit, pasi Rregullorja e vjetër kishte zbrazëtira juridike, të cilat bënë të mundur bllokimin e Kuvendit. Pesë vjet më parë, filluam procesin e Zhan Monesë, dhe atë që tani me kënaqësi mund të konstatoj është se procesi është në fazën përfundimtare. Rregulloren e miratojmë në mënyrë gjithëpërfshirëse, me konsultime të gjera dhe me pjesëmarrjen e të gjithë palëve të interesuara, me deputetët, si nga pushteti ashtu edhe nga opozita. Tani Rregullorja është në lexim të dytë dhe pres që për një ose dy javë të miratojmë Rregulloren e re me të cilën Kuvendi do të punojë në mënyrë më efikase, sepse nuk do të ketë pengesa për bllokadë të ardhshme të Kuvendit”, tha Ivanova, e cila theksoi pjesëmarrjen dhe rolin e Kuvendit në procesin e skriningut.

Sa i përket bashkëpunimit me APKE-në dhe Rrjetin e Qendrës Evropiane për Kërkime Parlamentare, tha se duhet të intensifikohet.

Sekretarja e Përgjithshme e APKE-së, Despina Haxhivasiliu-Covilis, theksoi se është për herë të parë në vend, por prioritet janë gjithmonë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ajo theksoi se çështja e avancimit të resurseve njerëzore është gjithmonë sfidë e madhe dhe se gratë mund të menaxhojnë me sukses punën në çdo fushë.

Në temën e digjitalizimit, tha se do të ishte mirë që shërbimet e APKE-së dhe Kuvendit të Maqedonisë të shkëmbejnë përvoja me qëllim të përmirësimit të shërbimeve online.

U hap edhe tema e dhunës seksuale ndaj grave. Të dyja bashkëbisedueset u pajtuan se pikërisht gratë kanë përgjegjësi të madhe në këtë çështje. ab/

Foto: Kuvendi i RMV-së

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR