• e enjte, 26 dhjetor 2024

ITSHKSH organizoi konferencën shkencore “zejtaria dhe punimet artizanale në trevat shqiptare”

ITSHKSH organizoi konferencën shkencore “zejtaria dhe punimet artizanale në trevat shqiptare”

Shkup, 14 maj 2024 (MIA) - Në kuadër të “Javës së Trashëgimisë Kulturore” sot ITShKSh organizoi konferencën shkencore me temë “Zejtaria dhe punimet artizanale në trevat shqiptare”, me ç’rast u mblodhën studiues etnologë, antropologë, folkloristë dhe dashamirës të etnokulturës nga rajoni dhe u shpalosën kumtesa mbi tema të ndryshme të fushës.

Në fjalën e tij përshëndetëse kryetari i Këshillit të ITShKSh-së, Sevdail Demiri, tha se kjo konferencë tashmë e disa vite po trajton tema shumë të rëndësishme nga trashëgimia jonë e pasur që kanë zgjuar interes të madh brenda komunitetit shkencor shqiptar dhe të huaj, duke përfshirë këtu dhe temën e sivjetshme që është zejtaria, kuptimi i së cilës duke se po humbet gjithnjë e më tepër, çka shton nevojën për studimin dhe valorizimin e saj.

Ndërkaq, udhëheqësi i departamentit të Etnologjisë, Historisë së Artit dhe Arkitekturës popullore në ITSHKSH Rini Useini, në cilësinë e udhëheqësit të konferencës, theksoi rolin e rëndësishëm të zejtarisë përgjatë historisë si dhe faktin se për të arritur tek objektet më të bukura që njohim sot në fushën e arteve të zbatuara popullore, është dashur përvoja shekullore, individuale e kolektive, aftësitë e shquara të shumë mjeshtërve të talentuar dhe kjo konferencë është një kontribut i vlefshëm në drejtim të vlerësimit të kësaj përpjekjeje.

Më tej, kumtesat e tyre i paraqitën studiuesit: Drita Halimi Statovci, Hiriet Ziberi, Zanita Halimi, Krenar Doli, Bestar Vula, Angjelina Hamza Hasanaj, Bekim Ramadani, Xhemaledin Salihu, Valon Shkodra, Besnik Rameti, Rini Useini, Neshat Mehmedi, Albnora Musa, Mustaf Haziri, Minir Ademi dhe Ardian Ramadani.

Me këtë rast u përurua vepra e fundit e etnologes së mirënjohur Drita Halimi-Statovci “Filigrani në Republikën e Kosovës”, një vepër me vlerë të lartë shkencore që hedh dritë mbi një ndër artizanalet më të lashta në trojet tona, për të cilën me detaje elaboroi recensenti i veprës, studiuesi Izaim Murtezani.

Të gjitha kumtesat e konferencës së sotme do të botohen në mënyrë të përmbledhur në edicionin e ri të revistës “Scupi” të botuar nga ITSHKSH.

 

QËNDRONI TË LIDHUR