ITSHKSH nis vitin me projekte madhore digjitalizimi në bashkëpunim me MSHIA-n
- Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve- Shkup, Dr. Skender Asani, sot priti për vizitë ministrin, Azir Aliu, i cili udhëheq me Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës. Përveç, përkrahjes së përhershme që na jep kjo ministri, u diskutua realizimi i përbashkët i disa projekteve madhore midis këtyre dy institucioneve, të cilat kanë rëndësi të veçantë në botën e digjitalizimit të kulturës dhe trashëgimisë.
- Post By Fami Bajrami
- 14:50, 12 janar, 2024
Shkup, 12 janar 2024 (MIA) - Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve- Shkup, Dr. Skender Asani, sot priti për vizitë ministrin, Azir Aliu, i cili udhëheq me Ministrinë e Shoqërisë Informatike dhe Administratës. Përveç, përkrahjes së përhershme që na jep kjo ministri, u diskutua realizimi i përbashkët i disa projekteve madhore midis këtyre dy institucioneve, të cilat kanë rëndësi të veçantë në botën e digjitalizimit të kulturës dhe trashëgimisë.
Ministri Aliu dhe drejtori Asani ranë dakord që procesin e digjitalizimit të trashëgimisë kulturore ta bëjnë në koordinim midis dy institucioneve dhe idetë që u shpalosën në takim të materializohen shumë shpejt. Një ndër projektet kyçe që doli nga ky takim është një projekt serioz për krijimin e qendrës multimediale për mirëkuptim ndërfetar dhe ndëretnik, digjitalizimin e trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës dhe trajtimin e Holokaustit.
Gjithashtu, në këtë drejtim, me iniciativë të ITSHKSH-së dhe një ekipi profesionistësh në fushën e komunikologjisë, një projekt tjetër i rëndësishëm promovon idenë për përfshirjen e një aplikacionit të ri, i cili do të shërbejë për përdorimin e gjuhës së shenjave, më saktë gjuhës së shurdhmemecëve. Ky aplikacion do të jetë i qasshëm në të gjitha mjetet elektronike të komunikimit: telefona celularë, kompjuterë, etj.
Deri në ditët e sotme fëmijët e këtij komuniteti mësojnë dhe veprojnë në gjuhë tjetër, gjegjësisht në gjuhën maqedonase. Arsyeja kryesore është fakti se institucionet e deritanishme kanë funksionuar vetëm në gjuhën maqedonase dhe vetëm me materiale të shtypura.
Ky aplikacion do t’i përmbushë nevojat për ABECEDË-në që do të jetë themel i këtij aplikacioni, si dhe do të ketë preferenca specifike lidhur me këtë komunitet.
Aplikacioni gjithashtu do të mundësojë që të kuptohet më mirë konteksti kulturor dhe linguistik i komunitetit të shurdhmemecëve shqiptarë në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe do të ndihmojë në krijimin e një përmbajtjeje të përshtatshme, që respekton dhe reflekton identitetin dhe kulturën e tyre.
Mësimi i gjuhës në këtë mënyrë është një mundësi e rëndësishme për ta përmirësuar qasjen e shurdhmemecëve në shoqërinë tonë dhe në të gjitha nivelet institucionale.
Teknologjia ka ndikuar në komunikimin e shurdhmemecëve duke ofruar opsione të ndryshme, përfshirë këtu video-transmetimet dhe aplikacionet e bisedave në kohë reale, me shenja. Kjo ka mundësuar komunikimin e mëtejshëm si dhe lidhjen e komunitetit të shurdhmemecëve në nivel global.
Përdorimi i këtij aplikacioni do të mundësojë që edhe me tej gjuha e shurdhmemecëve të jetë e përfshirë në të gjitha institucionet në Republikën e Maqedonisë së Veriut, e veçmas në të gjitha mediat elektronike ne Republikën e Maqedonisë së Veriut, qoftë me titrimin e filmave të moshave përkatëse apo edhe përmes emisioneve edukative- kulturore për moshat e ndryshme, gjë e cila tashmë në Evropë praktikohet në nivel standardi.
Me këtë nismë ITSHKSH-ja edhe njëherë dëshmon se është përkrahëse e diversiteteve gjuhësore, arsimore dhe kulturore në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Falenderojmë ministrin Azir Aliu për përkrahjene këtij projekti, bartës i së cilës ësthtë ITSHKSH-ja dhe drejtori i këtij Instituti, Skender Asani me ideatoren e projektit Valdeta Kasapi.
Foto: ITSHKSH