• e hënë, 08 korrik 2024

ITSHKSH ngre ura të reja bashkëpunimi me institutin e trashëgimisë, edukimit dhe turizmit në Shqipëri

ITSHKSH ngre ura të reja bashkëpunimi me institutin e trashëgimisë, edukimit dhe turizmit në Shqipëri

Shkup, 30 maj 2024  (MIA)- Dje ITSHKSH-në e vizituan studiues nga Instituti i Trashëgimisë, Edukimit dhe Turizmit të Shqipërisë. Në këtë takim u prezantua veprimtaria e dy institucioneve, duke marrë parasysh se ushtrojnë veprimtari të ngjashme, gjë që e bën bashkëpunimin e tyre me interes reciprok.

Pjesëmarrës në takim ishin Nevila Nika, drejtoreshë e ITET-it, Ramiz Rekaj, anëtar i bordit të Institutit Kanadez të Tekonologjisë dhe kryeredaktor i revistës shkencore “Univers”, si dhe koordinatorja Anisa Hykaj, ndërkaq si përfaqësues të ITSHKSH-së në këtë takim ishin drejtori, Skender Asani, dhe këshilltarët shkencorë, Zeqirija Ibrahimi dhe Sevdail Demiri.

Takimi rezultoi me një projekt konkret për të ardhmen e afërt – organizimi i një konference të përbashkët për Hoxha Kadri Prishtinën, një figurë të rëndësishme historike dhe themelues i Komitetit për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës, një organizatë patriotike e themeluar ne vitin 1918.

Për këtë ide fillestare të ITET-it, të cilën synon ta realizojë me disa institucione të tjera relevante për temën, drejtori Skender Asani tregoi gatishmërinë e plotë për bashkëpunim, duke vlerësuar rolin qendror që Komiteti ka pasur veçanërisht në kundërvënien ndaj forcave fashizoide të Serbisë.

Sipas profesoreshës Nika, rëndësia e Komitetit është dhe në faktin që ishte ai nismëtar i Kongresit të Lushnjës, me çka edhe fillon shtetndërtimi i shtetit shqiptar dhe se është e rëndëishme të punohet sa më tepër në drejtim të zbardhjes së të vërtetave që janë keqinterpretuar përgjatë viteve.

Ndërkaq z. Zekaj shprehu besimin se një konferencë e tillë do të sjellë prurje të rëndësishme nga studiuesit, pasi ka akoma shumë dokumente nëpër arkiva që nevojitet të dalin në dritë për mos t’u mbetur borxh figurave që kanë qenë në krye të ngjarjeve përcaktuese kombëtare.

Këtë gjë e theksoi edhe Zeqirija Ibrahimi, duke thënë se me konferencën që do të realizojmë, në një farë mënyrë, do të arrihet ajo që vetë Komiteti ka synuar në të kaluarën, që është bashkimi i kombit, në këtë rast në kuptimin kulturor e shkencor.

Duke i përgëzuar studiuesit për punën e palodhshme që bëjnë si një institucion alternativ në këtë drejtim, Sevdail Demiri bëri një përshkrim të gjithë veprimtarisë botuese të ITSHKSH-së, ndërsa me këtë rast u shkëmbyen botimet e fundit mes dy institucioneve.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR